RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Rusia djeg gaz teksa rriten çmimet e energjisë në Evropë

rusia-djeg-gaz-teksa-rriten-cmimet-e-energjise-ne-evrope

Teksa çmimet e energjisë në Evropë sa shkojnë e rriten, Rusia është duke djegur sasi të mëdha të gazit natyror, sipas një analize që ka siguruar transmetuesi britanik, BBC.

Ekspertët besojnë se kjo sasi gazi në të kaluarën do të eksportohej në Gjermani.

Sipas tyre, centrali afër kufirit me Finlandën, është duke djegur sasi gazi në vlerë të 10 milionë dollarëve çdo ditë.

Shkencëtarët janë të shqetësuar për sasitë e mëdha të dioksidit të karbonit që po lirohen në atmosferë, pasi diçka e tillë mund të shkrijë akullin në Arktik.

Analiza e kompanisë Rystad Energy, paralajmëron se rreth 4.34 milionë metra kub të gazit janë duke u djegur çdo ditë.

Ky gaz i lëngshëm natyror del nga centrali Portovaja në veriperëndim të Shën Peterburgut.

Shenjat e para se diçka nuk është duke shkuar mirë janë dhënë nga shtetasit finlandezë që jetojnë afër zonës kufitare, të cilët kanë parë flakë të mëdha më herët gjatë verës.

Portovaja gjendet afër stacionit ku fillon gazsjellësi Rrjedha Veriore 1, përmes të cilit bartet gazi rus në Gjermani.

Furnizimet përmes këtij gazsjellësi janë zvogëluar prej mesit të muajit korrik.

Autoritetet ruse përmendin si arsye çështjet teknike, ndërsa Gjermania beson se ky është hap politik, pas pushtimit të Rusisë në Ukrainë, dhe vendosjes së sanksioneve perëndimore ndaj Moskës.

Prej muajit qershor, hulumtuesit kanë vërejtur rritje të konsiderueshme të nxehtësisë që ka dalë nga objekti në kufi me Finlandën.

Ndonëse djegia e gazit është e zakonshme në centrale – kryesisht për çështje teknike dhe ato të sigurisë – shkalla e kësaj djegieje i ka hutuar ekspertët.

“Nuk kam parë kurrë flakë kaq të mëdha nga një central i gazit të lëngshëm natyror”, ka thënë Jessica McCarty, eksperte për të dhëna nga satelitët në Universitetin e Majamit në Ohajo.

“Duke nisur nga qershori, ne kemi parë rritje që nuk ka ikur tutje. Ka qenë shumë e madhe për disa kohë”.

Mark Davis, udhëheqës i kompanisë Cepterio, është i përfshirë në gjetjen e zgjidhjes për flakët e gazit.

Ai ka thënë se ndezja nuk është aksidentale dhe ka mundësi të jetë e qëllimshme për arsye operacionale.
Të tjerë besojnë se për autoritetet ruse mund të jenë sfiduese sasitë e mëdha të gazit që kanë në dispozicion.

Kompania ruse e energjisë, Gazprom, mund të ketë planifikuar që ta përdorë gazin në ndonjë central të ri, mirëpo mund të ketë pasur probleme në menaxhim dhe rruga më e lehtë ka qenë ndezja.

Mundësi tjetër është edhe embargoja që ekziston ndaj Rusisë pas nisjes së luftës në Ukrainë.

“Këto flakë të vazhdueshme nënkuptojnë se ata kanë mungesë të pajisjeve”, ka thënë, Esa Vakkilainen, profesoreshë e energjisë në Universitetin LUT të Finlandës.

“Për shkak të embargos tregtare ndaj Rusisë, ata nuk do të mund të bëjnë valvula cilësore që nevojiten për procesim të vajit dhe gazit. Ndoshta disa prej tyre janë prishur edhe ata nuk mund t’i zëvendësojnë”, tha ajo.

Kompania Gazprom, që ka në pronësi këtë central, nuk u është përgjigjur kërkesave për informacion.

Shkencëtarët besojnë se kostoja financiare dhe ambientale e këtyre flakëve rritet secilën ditë që ato janë ende prezente.
“Ndonëse arsyet e vërteta të flakëve nuk dihen, volumi, emetimet dhe vendi i flakëve na përkujtojmë dominimin e Rusisë në tregjet evropiane të energjisë”, ka thënë Sindre Knutsson nga kompania Rystad Energy.

Çmimet e energjisë janë rritur ndjeshëm pas heqjes së izolimeve të vëna si pasojë e pandemisë së koronavirusit dhe rritjes së kërkesës për produkte.

Shumë industri kanë pasur nevojë të menjëhershme për energji dhe furnizuesit janë përballur me presion të madh.

Çmimet e gazit janë rritur sërish në muajin shkurt, pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë.

Qeveritë evropiane janë duke analizuar mënyra sesi të importojnë sa më pak energji nga Rusia.

Para luftës, BE-ja ka siguruar nga Rusia 40 për qind të gazit që i duhet.

Edhe çmimet për burimet alternative të energjisë janë rritur, andaj disa shtete sikurse Gjermania dhe Spanja, janë duke prezantuar masa për ruajtje të energjisë.
Ndikimi i djegieve të tilla në ambient është duke i shqetësuar shkencëtarët.

Sipas tyre, ndezja është zgjedhje shumë më e mirë sesa ekspozimi i metanit në ajër, i cili është përbërësi kryesor në gaz dhe njihet si agjent shumë i fuqishëm për ngrohjen e klimës.

Bota tashmë është ngrohur për 1.1 gradë celsius prej nisjes së epokës industriale dhe temperaturat do të vazhdojnë të rriten, në rast se qeveritë në botë nuk marrin hapa për të ndalur emetimet e karbonit dhe gazrave tjerë.

Përgatiti: Krenare Cubolli/rel

Related posts

SHBA, rifillojnë protestat në mbështetje të Palestinës në Universitetin e Kalifornisë

RTI

Zjarrfikësit e Katalonjës përgatiten për zjarret në Spanjë

rezart morina

Tërmeti me qindra të vdekur në Marok, presidentja Osmani: Populli i Kosovës është krah jush në këto momente tragjike

rezart morina