Zëvendësministri i Jashtëm i Rusisë, Oleg Syromolotov tha se “Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan është një lider i kalibrit të ndryshëm i cili pavarësisht presionit të jashtëm, me veprimet e tij tregon se është i gatshëm të ndjekë një politikë jo sipas udhëzimeve të vendeve të treta, por në përputhje me aspiratat e popullit të tij”, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë për agjencinë e lajmeve TASS, Syromolotov bëri vlerësime lidhur me punimet për projektin e Moskës dhe Ankarasë për qendrën e shpërndarjes së gazit natyror në Turqi.
Sulmet në tubacionin e “Rrjedhës Veriore” vitin e kaluar, Syromolotov i cilësoi si “akt terrorist” dhe theksoi se vendet e Bashkimit Evropian (BE) të cilat janë klientë të Rusisë, u privuan nga mundësia për të blerë mallrat bazë që kanë nevojë për aktivitetet e tyre ekonomike.
Më tej ai shpjegoi se u është dhënë goditje ekonomisë dhe fuqisë konkurruese të Evropës si dhe mirëqenies së qytetarëve të zakonshëm.
“Pavarësisht të gjitha këtyre, bashkëpunimi Turqi-Rusi zhvillohet në mënyrë dinamike”, tha Syromolotov duke shtuar se dialogu mes dy vendeve bazohet në respekt reciprok të bazuar në interesa dhe që marrin në konsideratë prioritetet kombëtare.
“Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan është një lider i kalibrit të ndryshëm i cili pavarësisht presionit të jashtëm, me veprimet e tij tregon se është i gatshëm të ndjekë një politikë jo sipas udhëzimeve të vendeve të treta, por në përputhje me aspiratat e popullit të tij”, theksoi Syromolotov.
Sipas tij, energjia është një prej fushave më të suksesshme të bashkëpunimit Rusi-Turqi. Syromolotov tha se si rezultat i përpjekjeve të përbashkëta presidenti rus Vladimir Putin ka ndërmarrë iniciativën për formimin e një qendre të gazit natyror në Turqi.
Pasi ka rikujtuar se vazhdojnë negociatat për ngritjen e kësaj qendre, Syromolotov tha: “Mirëpresim entuziazmin, qasjen konstruktive dhe vendosmërinë e partnerëve tanë turq për të punuar ngushtë së bashku. Besoj se me përpjekje të përbashkëta mund të zgjidhim në mënyrë të suksesshme të gjitha problemet që shfaqen, përfshirë edhe sigurinë e objekteve të energjisë aktuale dhe atyre në të ardhmen”.