Rusia paraqiti të premten propozimin e saj për një zgjatje 6-mujore të miratimit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për dërgimin e ndihmave në Sirinë veriperëndimore nga Turqia.
Autorizimi i këshillit prej 15 anëtarësh është i nevojshëm sepse autoritetet siriane nuk kanë rënë dakord për operacionin e Kombeve të Bashkuara, i cili ka ofruar ndihma, duke përfshirë ushqime, ilaçe dhe strehim, për miliona njerëz në zonat e kontrolluara nga opozita në Siri që nga viti 2014, sipas Reuters.
SHBA kërkon që operacioni i OKB-së të zgjatet me 12 muaj dhe të marrë miratimin për përdorimin e tre pikave kufitare midis Turqisë dhe Sirisë.
Këshilli i Sigurimit ka negociuar tashmë një tekst, të hartuar nga Zvicra dhe Brazili, që do të lejonte operacionin e OKB-së të vazhdojë të përdorë vendkalimin Bab al-Hawa për 12 muaj.
Të paktën nëntë vota pro dhe asnjë veto nga Rusia, Kina, SHBA, Franca apo Britania nevojiten për të miratuar rezolutën.
Këshilli i Sigurimit fillimisht miratoi dërgimin e ndihmës në 2014 në zonat e kontrolluara nga opozita të Sirisë nga Iraku, Jordania dhe dy pika në Turqi, por Rusia dhe Kina kërkuan që ajo të reduktohej në vetëm një pikë kufitare. /euronews