Luftime të ashpra po vazhdojnë në Ukrainë, teksa forcat ruse po vazhdojnë sulmet ndaj infrastrukturës së energjisë në Donjeck dhe Luhansk. Sulme ajrore janë raportuar në Kostiantinivka dhe në Hersonin e çliruar së fundi, tha ushtria ukrainase më 12 dhjetor.
Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase tha se në Luhansk, forcat ruse “po vazhdojnë të përdorin banorët si mburoja njerëzore, duke vendosur pajisje ushtarake dhe duke u pozicionuar afër ndërtesave të banimit, ku jeton popullsia civile”.
Sulmet e vazhdueshme ruse ndaj infrastrukturës së Ukrainës kanë shkaktuar ndërprerje të mëdha të energjisë dhe kanë lënë pa rrymë miliona persona.
Presidenti amerikan, Joe Biden, bisedoi me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelenksky, më 11 dhjetor, duke përsëritur mbështetjen e fortë të Uashingtonit për Kievin, tha Shtëpia e Bardhë.
Gjatë bisedës telefonike me Zelenskyn, Biden theksoi “mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së për mbrojtjen e Ukrainës, teksa Rusia po vazhdon sulmet ndaj infrastrukturës kritike ukrainase”, u tha në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë.
Biden “riafirmoi përkushtimin e SHBA-së që të vazhdojë t’i ofrojë Ukrainës ndihmë të sigurisë, ndihmë ekonomike dhe humanitare, dhe të mbajë përgjegjëse Rusinë për krimet e saj të luftës dhe mizoritë”, u tha në deklaratë.
Shtëpia e Bardhë theksoi se së fundi ka dërguar në Ukrainë disa paketa të ndihmës, përfshirë edhe ndihmën për infrastrukturën energjetike ukrainase në vlerë prej 53 milionë dollarësh dhe paketën e ndihmës ushtarake në vlerë prej 275 milionë dollarësh.
Përmes një postimi në Twitter, Zelensky falënderoi Bidenin për paketën e fundit të sigurisë dhe tha se zhvilloi një bisedë “të frytshme” me liderin amerikan. Ai shtoi se kanë diskutuar për bashkëpunimin e mëtejmë të mbrojtjes dhe për sektorin e energjisë.
Zelensky tha se “theksova se Ukraina dëshiron të arrijë paqe dhe tërhoqa vëmendjen në rëndësinë e konsolidimit të përpjekjet ndërkombëtare për të arritur këtë qëllim”.
Biden mirëpriti “gatishmërinë e Zelenskyt për paqen e bazuar në parimet themelore që janë pjesë e Kartës së OKB-së”, tha Shtëpia e Bardhë.
Në shumë pjesë të Ukrainës, veçmas në Odesa, ekipet emergjente po punojnë për të rikthyer furnizimet me energji, pas dëmeve në rrjetin elektrik nga sulmet ruse, tha Zelensky përmes një video-mesazhi të dielën mbrëma.
Afër 1.5 milion persona në rajonin e Odesës kanë mbetur pa energji elektrike për shkak të sulmeve ruse me dronë. /rel