RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Sarrazini thotë se ende s’ka “lajme të reja” për Kosovën në Procesin e Berlinit

sarrazini-thote-se-ende-s’ka-“lajme-te-reja”-per-kosoven-ne-procesin-e-berlinit

I dërguari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka thënë se për Kosovën s’ka ende lajme të reja sa i përket pjesëmarrjes në Procesin e Berlinit, kur kanë mbetur edhe dy javë në shënimin e 10-vjetorit të këtij procesi.

Gjermania ka qenë e zëshme duke i bërë thirrje Kosovës që ta largojë masën e sigurisë për mallrat serbe duke e cilësuar në kundërshtim me Marrëveshjen për Tregti të Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA). Së fundmi, në një përgjigje për KOHËN, ambasada e Gjermanisë ka thënë se ka afate që lidhen me rregullat dhe procedurat e CEFTA-s. Vetë Sarrazin e pati përmendur gjatë vizitave të fundit të tij në Prishtinë mundësinë e përjashtimit të Kosovës nga Procesi i Berlinit po qe se Qeveria nuk i heq masat ndaj produkteve serbe.

Në Forumin e dytë ekonomik gjermano-kosovar, i cili po mbahet në Prishtinë të mërkurën, Sarrazini ka thënë se edhe pse takimi në Procesin e Berlinit do të mbahet pas dy javësh, me Kosovën janë “ende në rrugën e daljes apo paraqitjen e lajmeve të reja”.

Menjëherë pas fjalimeve hapëse, Sarrazini e zëvendëskryeministri Besnik Bislimi kanë zhvilluar takim. Paa takimit, Bislimi ka thënë se kanë folur për futboll.

Emisari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, e pati përmendur gjatë vizitave të fundit të tij në Prishtinë mundësinë e përjashtimit të Kosovës nga Procesi i Berlinit po qe se Qeveria nuk i heq masat.

“Do të jetë kthesë prapa në besimin që mund ta integrojmë rajonin bashkë. Do të jetë shumë keq kjo. Nuk do të ndalemi vetëm pse Kosova po bllokon. Kosova mund ta bllokojë vetëm veten. Do të adoptojmë mundësi tjetër për një mekanizëm të përkohshëm, jo CEFTA”, kishte deklaruar Sarrazin në emisionin “Interaktiv” të KTV-së.

Në Qeverinë e Kosovës nuk patën treguar nëse do ta konsiderojnë heqjen e këtyre masave dhe nëse kjo çështje ndërlidhet me pajisjet që Gjermania i ka premtuar në funksion të rritjes së kontrolleve kufitare për mallrat që hyjnë në Kosovë.

Masa e sigurisë për ndalimin e mallrave serbe është vendosur më 14 qershor të 2023-tës, të njëjtën ditë kur forcat serbe i patën rrëmbyer tre zyrtarët policorë të Kosovës përgjatë brezit kufitar me Serbinë.

Më pas, Qeveria ka marrë vendim për lehtësimin e masës së sigurisë ndaj mallrave, duke e hequr masën e sigurisë vetëm për mallrat e lëndës së parë dhe për gjysmë produkte. E përfaqësues të bizneseve në Kosovë kanë thënë se masat kanë prodhuar efekt negativ për kompanitë prodhuese evropiane dhe amerikane.

Nga dhjetori i 2021-tës, Kosova ka pezulluar pjesëmarrjen në Marrëveshjen për Tregti të Lirë mes vendeve të Evropës Qendrore (CEFTA), pasi Serbia, Bosnjë-Hercegovina dhe Moldavia kanë refuzuar që të diskutojnë për largimin e Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) si përfaqësues i Kosovës brenda marrëveshjes rajonale të tregtisë.

Pas tre vjetësh bllokadë, zyrtarë të Qeverisë kanë deklaruar së fundi se Serbia tash e ka kushtëzuar këtë zgjidhje me heqjen e masave të sigurisë së Kosovës në pikat kufitare me Serbinë. Por sipas Jeton Zulfajt, këshilltar i kryeministrit Albin Kurti, masat e Kosovës nuk kanë të bëjnë me tregtinë, por rrjedhin nga kërcënimet ndaj sigurisë së shtetit.

Më 14 dhe 15 tetor, nën drejtimin e kancelarit gjerman Olaf Scholz do të mbahet Procesi i Berlinit, ku synohet të nënshkruhet marrëveshja e tregtisë së lirë. Aktualisht, tregtia e lirë realizohet nëpërmjet CEFTA-s, por Kosova e ka refuzuar këtë rrugë në të kaluarën, pasi përfaqësohej nga UNMIK-u dhe jo si shtet i pavarur.

Procesi i Berlinit është një iniciativë e Qeverisë gjermane nga viti 2014 dhe një platformë e përbashkët për gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, Komisionin Evropian (KE), disa vende të BE-së dhe Britaninë e Madhe që synon të mbështesë afrimin e vendeve të rajonit me Bashkimin Evropian.
Marrëveshjet në kuadër të CEFTA-s miratohen nga Komiteti i Përbashkët në formën e Vendimeve, Protokolleve Shtesë ose Rekomandimeve. Aktualisht, dhjetë marrëveshje të tilla janë në pritje të miratimit në fusha të ndryshme si tregtia elektronike, shërbimet e shpërndarjes së pakove, parandalimi i bllokimit të pajustifikuar gjeografik, kualifikimet profesionale, pronësia intelektuale, menaxhimi i rrezikut, shërbimet e agjencive të udhëtimit, njohja e operatorëve ekonomikë të autorizuar dhe zgjidhja e mosmarrëveshjeve tregtare.

Tutje, emisari gjerman ka deklaruar se Gjermania është shteti që i prin prezencës në Kosovë sa i përket investimeve. Sipas tij, Kosova mund të përfitojë më së shumti nga tregu i përbashkët i vendeve të Ballkanit Perëndimor pasi gjendet në mes të rajonit.

“Për sa i përket investimeve e kemi një hartë që quhet rajon dhe besojmë fuqimisht që Ballkani Perëndimor të shkoj para si tërësi. Duhet menduar për integrimin e Ballkanit drejt tregut të përbashkët. Këtu (në Kosovë) mund të shihet se ka potencial për investime nëse e bëni kornizën për investime në Kosovë më të lehtë dhe më të mundshme”, ka shtuar ai.

Sarrazini është i vetëdijshëm për problemet që ka Kosova me Serbinë, por “duhet t’i treguar rajonit se zhvillimet pozitive janë të mundshme”.

“Për ne, për qeverinë gjermane, angazhimi ynë në Kosovë është strategjik. E shohim në rrafshin politik të sigurisë”, ka potencuar ai.

Në forum morën pjesë edhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe ambasadori gjerman Jorn Rohde. Forumi do të mbahet edhe nesër (e enjte).

Related posts

Demonstratat pro Pa’lestinës zhvillohen në Stamboll

RTI

Harris në prag të përzgjedhjes së kandidatit për nënpresident, polemika mbi debatin e demokrates me Trump

RTI

Zgjedhjet e Serbisë të dielën nuk lejohen në Kosovë

rezart morina