Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka thënë të premten në Beograd se projekti Jadar, i cili parasheh krijimin e një miniere litiumi në pjesën perëndimore të Serbisë, është gjë e mirë për këtë vend.
Scholz dhe zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian kanë theksuar se gjatë mihjes së këtij minerali të rëndësishëm, do të respektohen standardet më të larta për ambientin.
Të dy zyrtarët kanë folur për përfitimet prej projektin për mihje të litiumit, teksa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, është përballur me kundërshtimet e ambientalistëve dhe të banorëve të zonës, të cilat kanë shqetësime për mjedisin.
Përgjatë Samitit për Lëndët e Para të Qëndrueshme në Beograd, blloku evropian dhe Serbia kanë nënshrkuar memorandum mirëkuptimi për partneritet strategjik lidhur me lëndën e parë të qëndrueshme, rrjetin e prodhimit të baterive dhe të makinave elektrike.
Sipas kancelarit gjerman, litiumi do të jetë po aq i rëndësishëm për lëvizshmërinë në të ardhmen, ashtu sikurse ka qenë nafta deri më tani.
Bashkimi Evropian është duke tentuar të zvogëlojë varësinë ndaj importeve të Kinës, derisa Gjermania është prodhuesja më e madhe e makinave elektrike në Evropë, të cilat funksionojnë me bateri të litiumit.
“Kjo është e rëndësishme për Evropën, për Gjermaninë, mirëpo për neve në Serbi është ndoshta me më së shumti rëndësi. Kjo përbën pikë kthese dhe mundësi të madhe për ne”, ka thënë Vuçiq.
Ai ka thënë se bashkëbiseduesve nuk ua ka fshehur vështirësitë me të cilat përballet Qeveria e Serbisë për mihjen e litiumit.
The post Scholz në Beograd: Litiumi është po aq i rëndësishëm sa nafta dikur first appeared on Radio Televizioni Iliria.