Një grup prej 94 senatorësh francezë i kanë shkruar letër të hapur presidentit të Francës, Emmanuel Macron, në të cilën ata kritikuan qeverinë për politikën e saj në Afrikë, e cila ka nxitur ndjenja antifranceze në kontinent, transmeton Anadolu.
Letra e publikuar të hënën nga e përditshmja franceze “Le Figaro”, i bën thirrje Macronit të rishikojë politikën e Francës për Afrikën.
Senatorët theksuan se dështimi i Operacionit Barkhane përbën pjesën më të madhe të arsyes pse Franca dhe prania e saj ekonomike, politike dhe ushtarake tani refuzohen në Mali, Burkina Faso, Niger dhe Republikën e Afrikës Qendrore.
Operacioni francez “Barkhane” ishte kundër kryengritësve në rajonin Sahel të Afrikës, i cili filloi në gusht 2014 dhe përfundoi zyrtarisht në nëntor të vitit të kaluar.
“Sot, Francafrique (sfera e ndikimit francez) e deridjeshme është zëvendësuar nga Russafrique ushtarake, Kinafrique ekonomike ose Amerikafrique diplomatike”, thuhet në letër.
“A nuk është koha që të rishikojmë vizionin tonë për Afrikën dhe lidhjen e saj me Francën?”, thuhet më tej në letër.
Letra përfundoi duke e quajtur kontinentin afrikan një “mik”, i cili nuk ka më mirëkuptimin për Francën dhe gjithnjë e më shumë konteston rolin dhe praninë e saj në kontinent.