Kryetari i Kuvendit të Madh Popullor të Turqisë (TBMM), Mustafa Şentop, deklaroi se Turqia është e detyruar të vazhdojë luftën kundër terrorizmit pa tolerim dhe theksoi se organizatat terroriste tradhtare me të cilat luftojnë njëkohësisht kanë të përbashkët gjakderdhjen dhe brutalitetin, raporton Anadolu Agency (AA).
Şentop mbajti një fjalim në seancën përmbyllëse të Takimit të 60-të të Asamblesë Parlamentare të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik të Detit të Zi (BSEC) në Beograd, gjatë së cilës Turqia mori kryesimin. Şentop shtoi se çështjet që vendet nuk mund t‘i kapërcejnë të vetme ose dypalëshe e bëjnë të nevojshëm bashkëpunimin ndërkombëtar dhe rajonal të bazuar në multilateralizëm.
Duke bërë të ditur se BSEC u themelua me pritshmëri të mëdha në vitet 1990 dhe se ajo nuk ka arritur në nivelin e dëshiruar, Şentop u shpreh se “Para së gjithash kjo organizatë të cilën e vendosëm në funksion si një projekt paqeje, nuk ka mundur të përshkojë një distancë serioze në sigurimin e kontributit për paqen rajonale pavarësisht 30 viteve që kanë kaluar”.
Më shumë se dështimet, Şentop vuri në dukje rëndësinë e kontributeve konkrete që ka dhënë BSEC dhe nënvizoi se përpjekjet e treguara në kuadrin e BSEC kanë penguar që marrëdhëniet e tensionuara mes vendeve të marrin një trajtë edhe më komplekse.
“Çështje të tilla si terrorizmi, ekstremizmi, imigracioni dhe trazirat ekonomike në përmasa globale janë çështje që shqetësojnë të gjitha vendet. Tashmë e shohim shumë më qartë se bota sot po kalon në një periudhë shumë më të vështirë dhe kjo periudhë e vështirë sjell me vete nevojën për të një transformim të rëndësishëm në nivel edhe global edhe rajonal. Është e pashmangshme të prodhohen zgjidhje racionale dhe të përhershme dhe zhvillimet përreth nesh të vlerësohen në një aspekt gjithëpërfshirës. Shkurtimisht ndodhemi në një periudhë kritike. Në periudha të tilla, një vendim i marrë ose jo i marrë në kohë ose me vonesë për shkak të hezitimit mund të shkaktojë thyerje të konsiderueshme në të ardhmen e popujve, shteteve dhe madje edhe botës sonë. Prandaj ndodhemi në një kohë kur nevojitet vullnet i fortë, qëndrim i vendosur dhe një mënyrë e qartë shprehjeje”, vlerësoi Şentop, duke theksuar se pavarësisht se janë mbledhur si vende të rajonit të Detit të Zi, mund të ndikohen edhe nga zhvillimet lidhur me një gjeografi shumë më të gjerë.
Pasi vuri theksin se Turqia me këtë qasje, e ka ndërtuar politikën e saj të jashtme mbi bazën paqësore, humanitare dhe inovatore, Şentop theksoi se “Si Turqi qëndrojmë pranë të drejtës dhe të drejtit në çdo çështje; fjalën tonë e themi të qartë, ‘të drejtës të drejtë dhe të gabuarës të gabuar‘. Qëndrimin tonë e vendosim në favor të negociatave, paqes dhe stabilitetit”.
“Tashmë ka ardhur koha e kthimit në tryezë”
Në fjalën e tij Şentop tha se në një pozitë gjeografike të rrethuar me konflikte dhe destabilitet, janë përpjekur që me qasjen e një politike të jashtme inovatore dhe humanitare të formojnë paqe dhe mirëqenie në rajon, nga përfundimi i tragjedisë humanitare në Siri e deri në zgjidhjen e krizës Rusi-Ukrainë.
“Edhe në periudhën kur mes Rusisë dhe Ukrainës u shkatërruan urat dhe u shënuan konflikte, ne mbajtëm qëndrim në favor të vazhdimit të negociatave. Për këtë arsye përpjekjet e Turqisë që nga fillimi i luftës për një zgjidhje me rrugë paqësore të problemit, respektohen dhe vlerësohen si nga e gjithë bota ashtu edhe nga palët”.
Turqia teksa zhvillon proceset ndërkombëtare në fjalë, ka refuzuar edhe çdo hap të ndërmarrë në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar, tha Şentop, duke shtuar se:
“Në këtë aspekt, në çdo platformë kemi shprehur se nuk njohim territoret e aneksuara nga Rusia, kryesisht Krimenë. Këtë, qëndrimin tonë parimor e vazhdojmë jo vetëm për Ukrainën, por për të gjitha vendet përfshirë Moldavinë dhe Gjeorgjinë. Me këtë qasje, dëshirojmë që lufta në Ukrainë të përfundojë sa më parë me një paqe të përhershme dhe të drejtë të bazuar në integritetin territorial të Ukrainës dhe pa u shënuar më shumë humbje jete. Tashmë të gjithë duhet ta shikojnë se nuk do të ketë fitues të kësaj lufte që vazhdon për më shumë se 9 muaj dhe se ata që do të humbasin janë vetë popujt. Tashmë ka ardhur koha e kthimit në tryezë, dhe të dorë të merret kalemi”.
“Shumë herë thirrjet tona janë injoruar”
Pasi tërhoqi vëmendjen mbi rëndësinë e luftës në çështjen e terrorizmit i cili kërcënon stabilitetin në rajon, Şentop u shpreh: “Jemi të detyruar të vazhdojë luftën kundër terrorizmit pa tolerim. Organizatat terroriste tradhtare me të cilat luftojmë në njëjtën kohë, kryesisht PKK, PYD, YPG, DEASH, FETO edhe pse kanë emra të ndryshëm ato vazhdojnë të kenë të përbashkët gjakderdhjen dhe brutalitetin. Përzgjedhja e shkronjave të reja nga alfabeti për emrat e tyre nuk mund ta mbulojë të vërtetën se ato janë organizata terroriste me duar të përgjakura”
Më tej Şentop shpjegoi se të gjitha vendet duhet të bëjnë më të mundurën e tyre si nevojë njerëzore për çështjen e imigracionit. “Shumë herë thirrjet tona janë injoruar. Ndërsa tani me përjetimet në Ukrainë vendet e rajonit kanë mbetur të detyruara të përballen me këtë problem. Ne e përsërisim sërish thirrjen tonë; Njeriu duhet të vlerësohet vetëm sepse është njeri”, tha ai.
Shumë vende anëtare të BSEC ndodhen mbi rrugët e emigracionit, tha Şentop, i cili bëri thirrje: “Ejani të punojmë së bashku për këtë çështje dhe të kërkojmë rrugët për të bashkëpunuar”.
Përkimi i 30-vjetorit të themelimit të BSEC me 100-vjetorin e themelimit të Republikës së Turqisë ka një rëndësi të veçantë për Turqinë, tha Şentop, i cili në këtë kuadër u përcolli ftesën e tij krerëve të parlamenteve të vendeve anëtare për të mbajtur së bashku në muajin maj të vitit të ardhshëm Asamblenë e Përgjithshme të BSEC dhe Samitin e Krerëve të Parlamenteve të BSEC.
Kryetari i Kuvendit të Madh Popullor të Turqisë (TBMM), Mustafa Şentop, pas fjalimit nderoi me medaljen e nderit të BSEC, kryetarin e Parlamentit të Serbisë dhe kreun e BSEC, Vladimir Orliq.
Orliq falënderoi kryeparlamentarin Şentop dhe theksoi se është i sigurt që Turqia do të zhvillojë një presidencë të mirë të BSEC.