Presidenca e Koresë së Jugut tha se Seuli dhe Washington-i janë në bisedime mbi zbatimin e planeve përbashkëta, duke përfshirë asetet bërthamore të SHBA-së, për t’iu përgjigjur kërcënimeve nga Koreja e Veriut, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Koreja e Jugut dhe SHBA janë në bisedime për ndarjen e informacionit, planifikimin e përbashkët dhe zbatimin e planeve të përbashkëta që pasojnë, në lidhje me funksionimin e aseteve bërthamore të SHBA-së, për t’iu përgjigjur kërcënimit të armëve bërthamore të Koresë së Veriut”, Agjencia e Lajmeve Yonhap citoi të ketë thënë Kim Eun-hye, sekretare e Presidencës për çështjet e mediave.
Vërejtjet e saj erdhën pasi presidenti amerikan Joe Biden mohoi çdo diskutim midis dy vendeve mbi stërvitjet e përbashkëta bërthamore.
Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, tha në një intervistë për gazetën Chosun Ilbo se Seuli dhe SHBA janë të angazhuar në bisedime për kryerjen e stërvitjeve të përbashkëta duke përdorur asetet bërthamore për “parandalim efektiv” dhe se Washington-i është “mjaft pozitiv” në lidhje me këtë ide.
Megjithatë, Biden u përgjigj shkurtimisht “jo” kur u pyet nëse të dy vendet po diskutojnë stërvitje të përbashkëta bërthamore, duke kundërshtuar komentet e homologut të tij koreano-jugor.
Duke shpjeguar deklaratën e Biden-it, Kim tha: “Stërvitja e përbashkët bërthamore është një term i përdorur midis fuqive bërthamore”.
Tensionet në Gadishullin Korean janë rritur përsëri, me Korenë e Veriut që lëshoi dhjetëra raketa vitin e kaluar në një seri testesh, duke përfshirë raketa balistike ndërkontinentale.