Izraeli është bërë pjesë e një grupi të zgjedhur vendesh, shtetasit e të cilëve lejohen të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pa pasur nevojë për viza, raporton agjencia AP.
Vendimi për heqjen e vizave për qytetarët izraelitë është bërë zyrtar të mërkurën dhe shënon një arritje të madhe për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili është përplasur shpesh me administratën e Joe Biden.
Sipas programit të heqjes së vizave, izraelitët do të mund të udhëtojnë në SHBA për qëllime biznesi ose turistike deri në 90 ditë pa vizë, thjesht duke u regjistruar në Sistemin Elektronik për Autorizimin e Udhëtimit.
Por, edhe nëse ata janë të autorizuar të udhëtojnë sipas atij sistemi, zyrtarët amerikanë në aeroport mund t’i ndalojnë ata që të që të hyjnë në vend. Vendet që duan të jenë pjesë e programit të heqjes së vizave duhet të përmbushin tri kushte kyçe. Izraeli përmbushi dy nga këto kushte gjatë dy vjetëve të fundit: një përqindje e ulët e izraelitëve aplikuan për viza dhe një përqindjeje e ulët e izraelitëve shkelën afatin e vizave të tyre. Izraeli kishte luftuar për ta përmbushur të tretën, për reciprocitet, që në thelb do të thotë që të gjithë qytetarët amerikanë, përfshirë palestinezët-amerikanë, duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë kur udhëtojnë drejt ose përmes Izraelit.