SHBA-ja vuri edhe një herë veto ndaj përpjekjes së fundit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për një armëpushim të menjëhershëm humanitar në Rripin e rrethuar të Gazës, ku numri zyrtar i të vdekurve po afrohet me shpejtësi në 30.000, raporton Anadolu.
Projektrezoluta e paraqitur nga Algjeria mori mbështetje të gjerë në Këshill me 13 nga 15 shtetet e saj anëtare që votuan pro. SHBA-ja ishte vendi i vetëm që votoi kundër dhe si një anëtare e përhershme e Këshillit, kundërshtimi i saj i ndali rrugën rezolutës. Mbretëria e Bashkuar, një tjetër anëtare e përhershme, abstenoi.
SHBA-ja kishte sinjalizuar kundërshtimin e saj të hënën.
Përpara vetos së pritshme të SHBA-së, Amar Bendjama, i dërguari i Algjerisë në OKB, tha se votimi kundër sinjalizon mbështetje “për vrasjen dhe urrejtjen”.
“Secili prej nesh vendos se ku do të qëndrojmë në këtë kapitull tragjik të historisë”, tha ai para votimit.