RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Shefi i diplomacisë turke nesër udhëton në Egjipt për një vizitë 2-ditore

shefi-i-diplomacise-turke-neser-udheton-ne-egjipt-per-nje-vizite-2-ditore

Ministri turk i Punëve të Jashtme, Hakan Fidan, nesër do të niset për në Egjipt për një vizitë dyditore me ftesë të homologut të tij egjiptian, Bard Abdelatty, raporton Anadolu.

Marrëdhëniet midis Ankarasë dhe Kajros kohëve të fundit kanë shënuar një përparim të rëndësishëm. Vizita zyrtare e presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan, në Egjipt më 14 shkurt, vizita e parë në atë nivel pas më shumë se 10 vitesh, shënoi një moment historik në lidhjet dypalëshe.

Gjatë asaj vizite u nënshkrua një deklaratë e përbashkët për një takim të Këshillit të Bashkëpunimit Strategjik të Nivelit të Lartë, të bashkë-kryesuar nga presidentët e dy vendeve.

Muajin e kaluar, Abdelatty u emërua ministër i Punëve të Jashtme në një qeveri të sapoformuar në Egjipt. Vizita e ardhshme do të shënojë takimin e parë zyrtar të ministrit turk me homologun e tij egjiptian.

Gjatë takimit të tyre, sipas burimeve diplomatike turke, Fidan dhe Abdelatty do të diskutojnë përgatitjet për takimin e parë të Këshillit të Bashkëpunimit Strategjik të Nivelit të Lartë, i cili do të zhvillohet gjatë vizitës së ardhshme në Türkiye të presidentit egjiptian, Abdel Fattah El-Sisi.

Ata gjithashtu do të vlerësojnë statusin aktual të afër 20 marrëveshjeve që pritet të nënshkruhen gjatë takimit.

Diskutimet do të përfshijnë marrëdhëniet dypalëshe politike, ekonomike dhe kulturore, si dhe zhvillimt aktuale rajonale. Gjithashtu do të diskutohen mundësitë e bashkëpunimit afatgjatë në fushat e energjisë, shëndetësisë, turizmit dhe industrisë së mbrojtjes.

Temat kryesore të kësaj vizite janë zhvillimet në Gaza, çështja palestineze, ndihma humanitare për Gazën dhe rritja e tensioneve rajonale. Gjithashtu do të vlerësohen zhvillimet në Libi, Sudan dhe Somali.

Fidan pritet të vizitojë qytetin verior egjiptian El-Arish dhe pikën kufitare Rafah në Rripin e Gazës, si dhe të inspektojë qendrën logjistike të Gjysmëhënës së Kuqe të Egjiptit, e cila trajton dërgesat e ndihmave humanitare nga Türkiye në Gaza.

Related posts

Festime në Nablus gjërsa të burgosurit kthehen në shtëpi

rezart morina

Stoltenberg: Do të bëjmë atë që është e nevojshme për të mbajtur një mjedis të sigurt në Kosovë

admin6

Serbi, hapet autostrada Novi Pazar-Tutin që u rindërtua me mbështetjen e Turqisë

admin