RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Shefi i NATO-s i bën thirrje Kosovës dhe Serbisë për ulje të tensioneve

shefi-i-nato-s-i-ben-thirrje-kosoves-dhe-serbise-per-ulje-te-tensioneve

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të de-përshkallëzojnë situatën dhe të vazhdojnë bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian (BE) për uljen e tensioneve, transmeton Anadolu.

Duke folur në një konferencë të përbashkët për media pas takimit me presidentin e Malit të Zi, Jakov Milatoviq, Stoltenberg ripohoi përkushtimin e “palëkundur” të misionit paqeruajtës të udhëhequr nga NATO në Kosovë (KFOR).

“Ne kemi shtuar praninë tonë dhe do të vazhdojmë të marrim të gjitha masat e nevojshme për të garantuar një mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë”, tha Stoltenberg.

Ai gjithashtu theksoi se KFOR-i e kryen detyrën në mënyrë “të paanshme” mes tensioneve të rritura së fundmi.

Shefi i NATO-s u bëri thirrje “të gjitha palëve që të de-përshkallëzojnë” situatën dhe përshëndeti planin për takimin e sotëm mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Ai theksoi se ulja e tensioneve është “kyçe për sigurinë e Kosovës dhe stabilitetin në rajon”.

Presidenti Milatoviq, nga ana e tij, theksoi se Mali i Zi “mbështet fuqishëm” dialogun Beograd-Prishtinë të lehtësuar nga BE-ja.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, pritet të takohen në Bruksel me shefin e politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës muajin e kaluar pas zgjedhjeve lokale në komunat me pakicë serbe.

Misioni paqeruajtës ndërkombëtar i KFOR-it ka operuar në Kosovë që nga viti 1999 nën një mandat të Kombeve të Bashkuara (OKB).

Related posts

Luftëtarët palestinezë ‘infiltrohën’ në veri të Gazës, grupe të reja luftojnë në jug

rezart morina

Publikohet pasuria e Kurtit, vetëm 119 euro në bankë

admin

FOTO/ Pas aksidentit me helikopter ku vdiq presidenti, qeveria e Iranit zhvillon mbledhje urgjente, në karrigen bosh ku ulej Ebrahim Raisi u vendos…

admin