Shefi i Kombeve të Bashkuara (OKB) për të drejtat e njeriut, Volker Türk, u ka bërë thirrje të gjitha shteteve të veprojnë për të parandaluar një konflikt më të gjerë në Lindjen e Mesme, transmeton Anadolu.
“U bëj thirrje të gjitha shteteve, përfshirë anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, që të veprojnë me vendosmëri për të parandaluar një konflikt më të gjerë në Lindjen e Mesme me pasoja potencialisht shkatërruese për civilët”, tha Türk.
Siç theksoi ai, jetike është që ata të përdorin zërin dhe ndikimin e tyre për të sjellë palët ndërluftuese në tryezën e bisedimeve për t’i dhënë fund kësaj.
“Ne i bëjmë thirrje arsyes. Paqja duhet të mbizotërojë”, theksoi ai.
Izraeli nisi një ofensivë shkatërruese ushtarake në Rripin e Gazës pas sulmit të Hamasit më 7 tetor të vitit të kaluar dhe që atëherë në Gaza ka vrarë të paktën 41.600 palestinezë.
Konflikti dy javë më parë u përhap edhe në Liban, me ushtrinë izraelite që nisi sulme të gjera ajrore kundër atyre që i quajti objektiva të Hezbollahut, duke vrarë mbi 1 mijë njerëz dhe duke shkaktuar zhvendosjen e dhejtëra mijëra të tjerëve. Sulmet po ashtu vranë liderin e Hezbollahut, Hassan Nasrallah.
Dje, Irani lëshoi raketa balistike në drejtim të Izraelit, duke theksuar se kjo është një përgjigje të liderit të Hezbollahut, si dhe liderit të Hamasit, Ismail Haniyeh dhe komandantit të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC), Abbas Nilforoshan.
Haniyeh u vra në muajin korrik në Teheran, ndërsa Nasrallah dhe Nilforoshan u vranë javën e kaluar në Bejrut.