RTV AHIRETI
Agjërimi

SHENJAT E PËRFUNDIMIT TË MIRË

shenjat-e-perfundimit-te-mire

Allahu, azze ue xhel, thotë: O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë muslimanë!” (Ali Imran: 102); “Dhe adhuroje Zotin tënd derisa të të vijë vdekja!” (El-Hixhr: 99)

Prej ajeteve kuptojmë se Allahu i porosit robërit e Tij që të stolisen me petkun e devotshmërisë, të jetojnë si muslimanë dhe të vdesin vetëm si muslimanë. Nuk ka kënaqësi më të madhe për robin se sa të vdes si besimtar në Zotin e tij dhe të jetë i kënaqur me fenë e tij. Kjo është rruga e vetme e cila e drejton kah lumturia e kësaj bote dhe asaj të amshueshmes dhe e shpëton prej brengave e pikëllimit të dy botëve. A ka qenë dhe a do të jetë ky njeri i lumtur apo i pikëlluar do të dëshmojnë veprat e tij në fund. Asnjëri prej nesh nuk ka njohuri për qëllimet e zemrave të njerëzve, prandaj kur gjykojmë, gjykojmë sipas asaj çka e shohin sytë e tanë dhe sipas asaj se si shpërblehen veprat në fund të saj. Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, thotë: “Veprat shpërblehen sipas përfundimit të saj.”

Dijetarët duke u bazuar në këtë hadith i kanë përcjellë shenjat e përfundimit të veprave dhe kanë konstatuar se ka shenja të përfundimit të mirë dhe shenja të përfundimit të keq, sipas asaj çka ka vepruar robi i Allahut: “Kush ka bërë ndonjë të mirë, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë, e kush ka bërë ndonjë të keqe, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë.” (Ez-Zelzele: 7-8)

Sot me emrin e Allahut do të flasim për shenjat e përfundimit të mirë, e në hutben e ardhshme do të flasim për shenjat e përfundimit të keq.

Allahu, azze ue xhel, me mirësinë e Tij i ka caktuar disa shenja të qarta që tregojnë për përfundimin e mirë të njeriut, prandaj çdo njeri që vdes me ndonjërën prej tyre është për përgëzim.

– Prej shenjave të përfundimit të mirë janë si vijojnë:

– Thënia e shehadetit (la ilahe il-lallah) në çastet e fundit të jetës:

Muadh ibën Xhebeli, radijallahu anhu, na përcjell se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Ai i cili thotë si fjalën e fundit la ilahe il- lallah hyn në Xhenet.”

– Rënia dëshmor në fushën e betejës:

Allahu, azze ue xhel, thotë: Kurrsesi mos i quani të vdekur ata që janë vrarë në rrugën e Allahut. Jo, janë të gjallë, duke u ushqyer te Zoti i tyre. Janë të gëzuar për çfarë u ka dhënë Allahu nga dhuntitë e Tij dhe gëzohen edhe për ata që ende nuk u janë bashkuar e që kanë ngelur pas tyre (dhe ende nuk kanë rënë martirë), sepse nuk do të frikësohen (për çfarë i pret) dhe nuk do të pikëllohen (për çfarë kanë lënë pas). Ata gëzohen me dhuntitë dhe mirësinë e Allahut, sepse Allahu nuk ua humb shpërblimin besimtarëve.(Ali Imran: 169-171)

Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, thotë: “Dëshmorit tek Allahu i Lartësuar i jepen gjashtë gjëra: I falen të gjitha mëkatet që në shpërthimin e parë të gjakut që del prej tij, e sheh vendin e tij në Xhenet, mbrohet prej dënimit të varrit, sigurohet nga frika më e madhe (fryrja në Sur), pajiset me stolinë e besimit, martohet me hyritë e Xhenetit dhe i pranohet ndërmjetësimi për shtatëdhjetë të afërmeve të tij.”

Disa prej dijetarëve thonë se dëshminë shpresohet ta fitojë edhe ai i cili e kërkon me sinqeritet në zemrën e tij, mirëpo nuk i mundësohet që të vdes në luftë. Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, thotë: “Kush kërkon prej Allahut që të bie dëshmor në luftë, Allahu ia mundëson që t’i mbërrijë gradat e dëshmorëve edhe nëse vdes në shtrat.”

– Vdekja me djersë në ballë:

Burejda Ibën Hasibi, radijallahu anhu, u nis në Horasan për të vizituar një vëlla të tij të sëmurë. Kur arriti, e gjeti në momentet e vdekjes. Balli i tij ishte me djersë. Burejda në shenjë gëzimi tha: “Allahu Ekber! Kam dëgjuar Pejgamberin, salallahu alejhi ue selem, të thotë: “Vdekja e besimtarit është me djerse ne ballë.”

Dijetarët u përpoqën ta japin komentin e këtij hadithi duke vlerësuar se kjo vjen si rezultat i dhimbjeve të rënda të vdekjes, që t’i falen mëkatet dhe ta takojë Allahun i pastër prej mëkateve. Disa thanë se kjo është rezultat i turpit të robit prej Allahut, për shkak se kur i vjen përgëzimi i kujtohen mëkatet e bëra, turpërohet para takimit me Allahun dhe i dalin djersët. Disa thanë se vdekja me djerse në ballë është shenjë e vdekjes së besimtarit edhe pse nuk kuptohet qëllimi i saj.

– Vdekja natën e Xhumasë (e cila fillon me perëndimin e diellit të ditës së enjte) ose ditën e saj:

Abdullah ibën Omeri, radijallahu anhu, na përcjell se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Çdo musliman që vdes ditën ose natën e Xhumasë, Allahu e mbron nga sprova e varrit.”

Kjo na mëson se vlera e kohës dhe merita e vendit lanë gjurma të mëdha.

– Vdekja nga sëmundja e murtajës:

Enes ibën Malik, radijallahu anhu, thotë se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Për çdo musliman, vdekja nga murtaja është vdekje shehidi.

Aisha, radijallahu anha, na përcjell se ajo e ka pyetur të Dërguarin e Allahut për murtajën dhe ai e ka lajmëruar se: “Ajo është dënim që Allahu ia dërgon kujt të dojë, ndërsa për besimtarët e ka bërë mëshirë. Nuk ka asnjë rob që gjendet në vendin ku është shpërndarë murtaja dhe qëndron aty, duke bërë durim dhe duke e ditur se asgjë nuk do ta godas përveç asaj që Allahu ia ka caktuar, e të mos e ketë shpërblimin e shehidit.”

Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, thotë: “Ditën e Kiametit vijnë dëshmorët dhe ata të cilët kanë vdekur prej murtajës, dhe thonë ata të cilët kanë vdekur prej murtajës: Ne jemi dëshmorë. U thuhet: Shikoni kah ata, në rast se janë plagët e tyre sikurse plagët e dëshmorëve të cilëve u rrjedh gjak me erë të miskut, ata janë dëshmorë. Kur shikohen me të vërtetë i gjejnë ato shenja tek ata.”

– Vdekja e gruas për shkak të lindjes së fëmijës:

Ubadeh Ibën Samit, radijallahu anhu, na përcjell se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, vizitoi Abdullah Ibën Revahën, radijallahu anhu, i cili ishte sëmurë dhe na tha: “A e dini cilët janë dëshmorët e umetit tim?” Të pranishmit thanë: “Muslimani i vrarë në fushë të betejës është dëshmor.” – Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, tha: “Atëherë, dëshmorët e umetit tim qenkan të pakët. Muslimani i vrarë në rrugë të Allahut është dëshmor, muslimani që vdes nga sëmundja e murtajës është dëshmor, gruaja që vdes për shkak të fëmijës së saj në bark është dëshmore.”

Dijetarët thonë se në hadith bënë pjesë gruaja që vdes në lindje ose vdes dhe fëmija është në barkun e saj.

– Vdekja nga sëmundjet e barkut:

Abdullah ibën Jesar thotë se isha ulur me Sulejman ibën Sured dhe Halid ibën Irfatah dhe e përmendën se një njeri kishte ndërruar jetë si pasojë e sëmundjes së barkut. I thanë njëri-tjetrit: A nuk ka thënë Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem: “Ai i cili vdes prej sëmundjeve të barkut nuk dënohet në varr.” – Tjetri iu përgjigj: “E the të vërtetën.”

Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, me një hadith thotë: “Ata që vdesin me sëmundje të barkut janë dëshmorë.”

Janë dhënë disa mendime se për cilat sëmundje të barkut bëhet fjalë në këtë hadith. Një mendim është për atë që vdes nga fryrja e barkut, një mendim i dytë është për atë që vdes nga diarreja dhe një mendim tjetër është se i përfshin të gjithë ata që vdesin nga çfarëdolloj dhimbje barku.

– Vdekja nga mbytja në ujë, nga shembja e ndonjë objekti, nga djegiet dhe nga sëmundja e tuberkulozit:

Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Pesë kategori (të vdekurish) janë dëshmorë: Ata që vdesin nga sëmundja e murtajës, ata që vdesin me sëmundje te barkut, të mbyturit, ata që vdesin nga ndonjë objekt që shembet mbi ta dhe dëshmorët në rrugën e Allahut.”

Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “… i djeguri është dëshmor…”

Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “… ai që vdes nga tuberkulozi është dëshmor…”

O Zot, kërkoj prej teje të na mbrosh gjatë jetës dhe vdekjes sonë dhe bëna prej atyre të mbrojturve në dynja dhe ahiret.

O muslimanë!

– Prej shenjave të përfundimit të mirë po ashtu janë:

– Roja që vdes në rrugë të Allahut, duke mbrojtur muslimanët dhe vendin e tyre:

Selman el Farisij, radijallahu anhu, na përcjell prej Pejgamberit, salallahu alejhi ue selem, se ka thënë: “Qëndrimi roje në rrugë të Allahut një ditë dhe një natë, është më i vlefshëm se agjërimi i një muaji dhe falja gjatë netëve të tij. Nëse ai vdes, puna që bënte i vazhdon akoma, i vazhdon risku dhe ruhet nga sprovimi i Munkerit dhe Nekirit në varr.

Fudaleh ibën Ubejd, radijallahu anhu, thotë se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Çdo të vdekurit veprat i përfundojnë me vdekjen e tij përveç atij i cili vdes si roje në rrugë të Allahut. Atij i vazhdojnë veprat deri në Ditën e Gjykimit dhe mbrohet prej sprovës së varrit.”

– Vdekja duke bërë punë të mira:

Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, tregon se: “Kush thotë “La ilahe il-lallah” duke e shpresuar Fytyrën e Allahut dhe mbyll jetën me ketë fjalë, futet në Xhenet. Kush agjëron një ditë për hir të Allahut dhe mbyll jetën me të, futet në Xhenet, dhe kush jep një sadaka për hir të Allahut dhe mbyll jetën me të, futet në Xhenet.”

Shejh Albani, Allahu e mëshiroftë, në librin e tij: “Dispozitat e xhenazes dhe risitë në të” thotë: “Me ketë rast dëshiroj të tregoj se edhe vëllai im më i madh Muhamed Naxhi Ebu Ahmedi ka vdekur gjatë haxhit, vitin e kaluar (1401 h), me një punë të mirë, insha’Allah. Ai vdiq gjatë hedhjes së gurëve në ditën e fundit të Teshrikut (qëndrimit në Mina). Disa haxhinjë më kanë treguar se një shokë i tij (vëllait) i kishte dhënë një gotë çaji me dorën e majtë. Ai i thotë: “O vëlla, ma jep me të djathtën. Mos e kundërshto Sunetin!”(apo diçka të përafërt me këtë), dhe në atë çast vdiq, Allahu e mëshiroftë, dhe na takoftë ne dhe atë me profetët, të sinqertët (si Ebu Bekri), shehidët dhe të drejtit, sepse këta janë shoqërues të shkëlqyer.”

– Ai që vritet nga një prijës tiran, për shkak se e ka këshilluar atë sinqerisht:

Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, tregon se: “Zotëria i shehidëve është Hamza Ibën Abdul Mutalibi dhe një burrë që ngrihet para një prijësi tiran, e urdhëron për të mirë dhe e ndalon nga e keqja, ndërsa prijësi e vret.”

– Vdekja duke mbrojtur pasurinë personale, fenë dhe vetveten:

Seid ibën Zejd, radijallahu anhu, na përcjell se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: Kush vritet duke mbrojtur pasurinë e tij është dëshmor, kush vritet duke mbrojtur familjen e tij është dëshmor, kush vritet duke mbrojtur fenë e tij është dëshmorë dhe kush vritet duke mbrojtur gjakun e tij (vetveten) është dëshmor.”

Ebu Hurejra, radijallahu anhu, thotë se një njeri erdhi tek Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, dhe i tha: O i Dërguari Allahut, në rast se një njeri vjen dhe dëshiron që të ma merr pasurinë time, çfarë të veproj? – I tha: “Mos ia jep pasurinë tënde.” –Po nëse më lufton? – I tha: “Luftoje edhe ti.” – Po nëse më vret? – I tha: “Ti je shehid.” – Po nëse unë e vras? – I tha: “Ai është në Xhehenem.”

Ajo çka duhet të dihet në këtë rast është se dijetarët dëshmorët i ndajnë në tre grupe:

Grupi i parë: Dëshmor në dynja dhe ahiret. Ky është ai i cili vritet në betejë për hir të Allahut.

Grupi i dytë: Dëshmor në dynja. Ky është ai i cili vritet si dyfytyrësh.

Grupi i tretë: Dëshmor vetëm në ahiret. Ky është ai i cili e meriton dëshminë sipas parimeve sheriatike, mirëpo nuk realizohen dispozitat e saj në dynja, si i mbyturi në ujë, e kështu me radhë.

E lus Allahun, azze ue xhel, me emrat e Tij të bukur dhe cilësitë e Tij të larta ta bëj përfundimin tonë të mirë dhe të jetë i kënaqur me ne. O Zoti ynë, bëna prej atyre që jetojnë si muslimanë, vdesin si muslimanë dhe ringjallen para teje si muslimanë, me vepra të mira dhe të pranuara.

Shejh Abdulaziz Sed’han    

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

 




Related posts

SHKAQET E ZBRITJES SË BEREQETIT

admin

DHJETË DITËT E DHULHIXHES

rezart morina

VLERA E ISTIGFARIT DHE GJURMËT E TIJ

admin