Dita e Përkujtimit për fëmijët e vrarë të kryeqytetit të Bosnjë dhe Hercegovinës u shënua me një program dhe performancë në Sheshin e Fëmijëve të Sarajevës, nga ku u drejtuan kritika të forta për mosndjekjen dhe dënimin e krimeve edhe pas disa dekadave, raporton Anadolu.
Në ceremoni morën pjesë familje të të vrarëve, anëtarët e Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës Denis Beqiroviq dhe Zheljko Komshiq, si dhe përfaqësues të shumtë të të gjitha niveleve të qeverisë dhe shoqatave.
Më 5 shtator 2019, Qeveria e Kantonit të Sarajevës vendosi që 5 maji të shënohet si Dita e Përkujtimit të Fëmijëve të Vrarë të Sarajevës në periudhën 1992-1995. Kjo datë shënohet me ngjarje në Memorialin e Fëmijëve të Vrarë të Sarajevës dhe me një orë historie në shkollat fillore dhe të mesme të Kantonit të Sarajevës.
Fikret Grabovica, kryetar i Shoqatës së Prindërve të Fëmijëve të Vrarë të Sarajevës së rrethuar, rikujtoi se 1.601 fëmijë u vranë gjatë rrethimit të qytetit dhe se familjet janë ende të pikëlluar për faktin se asnjë nga përgjegjësit e krimeve nuk janë ndjekur penalisht.
“Për këtë, sot këtu në kor do të jenë prezentë 1.601 fëmijë. Kjo është një simbolikë sepse ky është numri i fëmijëve të vrarë gjatë rrethimit të qytetit dhe është një shfaqje universale me mesazh, posaçërisht për Prokurorinë e Bosnjë e Hercegovinës e cila nuk ka ngritur asnjë aktakuzë në tri dekadat e fundit dhe as që kanë ndjekur penalisht apo dënuar ata që kanë kryer krime të tilla brutale mbi popullatën më të re të këtij qyteti”, tha Grabovica.
Duke theksuar se organizatorët besojnë se performanca e sotme do të ketë jehonë të madhe për publikun, Grabovica tha se duan t’u kujtojnë të gjithëve se çfarë ka ndodhur këtu dhe se sa e rëndësishme është paqja dhe liria që e keqja e viteve 90 të mos i përsëritet askujt.
Ai u tha të pranishmëve se programi i sotëm është organizuar për të përkujtuar të vërtetën e tmerrshme dhe dhimbjen e madhe të shkaktuar për shkak të vrasjes së fëmijëve gjatë rrethimit të Sarajevës.
Ai shtoi se sot nuk duan të flasin për urrejtje, por duan vetëm që e vërteta të mos harrohet kurrë dhe të jetë paralajmërim se një e keqe e tillë të mos i ndodhë askujt.
Amerisa Ahmetoviq, kryetare e Shoqatës së Viktimave Civile të Luftës, theksoi se duhet të ndryshohet qasja dhe të punohet më intensivisht në forcimin e kulturës së përkujtimit dhe paralajmërimit.
“Gjithçka duhet bërë nga themeli, të ndryshohet. Ajo që është vendimtare në gjithë këtë është që t’i inkurajojmë fëmijët tanë, brezat që vijnë, për atë që ka ndodhur, që vazhdimisht t’u tregojmë, t’i paralajmërojmë për të këqijat që kanë ndodhur në luftën e fundit dhe të këqijat që ndodhin zakonisht në jetë, të jenë të qetë, të jenë fëmijë dhe ne të jemi mbështetja e tyre”, tha Ahmetoviq.