Frontex ka regjistruar mbi 308 mijë hyrje ilegale në BE gjatë 11 muajve të parë të vitit 2022, rekord në 5 vitet e fundit. Ballkani Perëndimor mbetet ruta kryesore për hyrjet legale, duke kontribuar me 139 mijë raste në numrin e përgjithshëm.
Në njëmbëdhjetë muajt e parë të këtij viti janë regjistruar më shumë se 308 mijë hyrje ilegale në kufijtë e jashtëm të BE-së, sipas kalkulimeve preliminare. Kështu thotë raporti më i fundit i policisë kufitare evropiane Frontex, ku pasqyrohet gjendja për muajin nëntor dhe për vitin 2022 deri tani.
Këta numra paraqesin rritje prej 68% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ndërsa janë më të lartat që nga viti 2016. Ruta e Ballkanit Perëndimor mbetet më aktivja, duke përbërë 45% të të gjitha hyrjeve ilegale të regjistruara në Bashkimin Evropian që nga fillimi i vitit.
Në nëntor, vendet e BE-së regjistruan 27 mijë hyrje ilegale, 15% më shumë krahasuar me muajin e njejtë të vitit 2021.
Ballkani Perëndimor, ruta kryesore për hyrjet ilegale në BE
Ballkani Perëndimor vazhdon të jetë ruta më aktive për hyrje në BE me më shumë se 139 mijë hyrje ilegale gjatë 11 muajve të parë të vitit. Kjo paraqet rritje prej 152% krahasuar me periudhën e njejtë të vitit 2021.
Vetëm në nëntor janë regjistruar 14.105 hyrje ilegale nga Ballkani Perëndimor, që është dyfishi në krahasim me nëntorin e vitit të kaluar.
Numri i detektimeve nga Ballkani Perëndimor është më i larti që nga piku i krizës së migrantëve në vitin 2015.
“Presioni i vazhdueshëm migrator në Ballkanin Perëndimor mund t’u atribuohet tentimeve të përsëritshme të migrantëve që tashmë janë prezent në rajon për të kaluar kufirin, por edhe faktit se disa migrantë abuzojnë me qasjen pa viza në rajon për t’iu afruar kufijve të jashtëm të BE-së. Në fund të nëntorit, Serbia shtrëngoi regjimin e vizave, që pritet të ulë numrin e kalimeve ilegale”, thuhet në raportin e Frontex-it.
Frontex-i mbështet vendet e Ballkanit Perëndimor duke dërguar gati 500 trupa dhe staf.
Pas Ballkanit Perëndimor vijnë rutat e Mesdheut Qendror dhe Mesdheut Lindor. /trt