Mbi 95 për qind e popullsisë në Kosovë janë përdorues të internetit dhe pjesa më e madhe e tyre janë të mitur, keqpërdorimi i të cilëve në rrjetet sociale është në rritje.
Mbi 95 për qind e popullsisë në Kosovë janë përdorues të internetit dhe pjesa më e madhe e tyre janë të mitur, keqpërdorimi i të cilëve në rrjetet sociale është në rritje. Raportimi i rasteve të keqpërdorimit mbetet sfidë.
Këtë situatë shqetësuese e sheh edhe eksperti dhe ish-Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, i cili në një përgjigje për Radio Kosovën thotë se situata është jashtë çdo kontrolli, përcjell Albinfo.ch.
“Shqetësuese është moskufizimi i qasjes i cilësdo moshë në ueb faqe që konsiderohen ose janë të ndaluara në vendet e tjera për arsye të tjera. Kriteri tjetër që duhet të ekzistonte së paku është të identifikohen ata të cilët hyjnë në këto ueb faqe, të gjurmohet që të ketë një gjurmë eventualisht për vlerësimin e të dhënave që mbikëqyren. Ajo që është edhe më keqe është ekspozimi edhe në mediet publike dhe private”, ka theksuar Jashari.
Po ashtu, ai tha se pasojat nga ekspozimi i të miturve në rrjetet sociale janë shumë të mëdha sa që, sipas disa studimeve të bëra, edhe ADN-ja e këtyre personave ndryshon në moshën madhore si pasojë e keqpërdorimit të tyre në rrjetet sociale.
“Aq i thellë është ndikimi sa që në shkencë është vërtetuar që ai person në moshën madhore pëson ndryshim të ADN-së. Kaq i thellë është ndikimi për të cilën ne nuk jemi të vetëdijshëm dhe unë, sa isha në pozitën e Avokatit të Popullit, e pata bërë një publikim të kësaj natyre për t’i vetëdijesuar institucionet përgjegjëse për të kuptuar se sa i madh është ndikimi. Por, për fat të keq, nuk pati ndonjë reagim pozitiv të institucioneve që merren me trajtimin shëndetësor, social dhe atë psikologjik dhe për të njoftuar edhe popullatën se çfarë ndikimi mund të kenë sjelljet e tilla te fëmijët dhe në përgjithësi”, ka shtuar Jashari.
Se pasojat janë të mëdha gjatë abuzimit të fëmijëve në rrjetet sociale e thotë për Radio Kosovën edhe sociologu Shkodran Ramadani, që është edhe drejtor i Qendrës për Studime të Avancuar e që kanë organizuar studime të ndryshme në lidhje me këtë çështje. Po ashtu, të miturit që keqpërdoren në rrjetet sociale, në të ardhmen do të bullizohen, tha Ramadani.
“Numri i ulët i raportimit nuk është thjesht mos ekzistencë e këtij fenomeni, por ekziston një lloj hezitimi dhe frike për ta raportuar rastin për arsye se në disa raste të caktuara raportimi i rastit nënkupton edhe shpërndarje më të madhe të materialeve. Por frika tjetër është edhe bullizimi”, ka theksuar Ramadani.
Ndërkaq, Policia e Kosovës në një përgjigjeje përmes postës elektronike i tha Radio Kosovës se hapësira kibernetike vazhdon të jetë ambient i përshtatshëm për keqbërësit për kryerjen e veprave të ndryshme penale, duke përdorur programe kompjuterike dhe se qytetarët nuk kanë njohuri të mjaftueshme për rreziqet. Policia bënë të ditur se nuk disponojnë të dhëna të ndara për rastet e mashtrimeve online, sepse rastet evidentohen ashtu siç janë të përkufizuara sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.