Për herë të parë, dronët “Bayraktar” nga Baza Ajrore e Kuçovës në Shqipëri kanë zhvilluar fluturime natën.
Ky lloj trajnimi ka si qëllim stërvitjen e pilotëve në kushte më të vështira, për t’u dhënë operatorëve mundësinë të përvetësojnë sa më mirë sistemin UAV-ve të këtyre mjeteve fluturuese.
Kjo stërvitje i pajis pilotët me aftësitë dhe njohuritë e nevojshme për të orientuar nga distanca, në mënyrë të sigurt këto mjete, në kushtet e errësirës.
Trajnimi përfshin edhe përdorimin e pajisjeve për të vëzhguar natën si dhe sistemet e imazhit termik.
Pilotët dhe Operatorët e Ngarkesave u trajnuan gjithashtu për të interpretuar imazhet termike, të cilat janë thelbësore për identifikimin e objekteve.
Dronët Bayraktar iu shtuan flotës së Forcave të Armatosura të Shqipërisë, si pjesë e modernizimit të mjeteve të saj, për të rritur kapacitetet, jo vetëm në operacionet e stërvitjet ushtarake, por edhe në mbështetje të operacioneve të emergjencave civile ose në monitorimin e territorit, për t’i ndihmuar me imazhe sa më të sakta institucionet e vendit.