Autoritetet shqiptare kanë miratuar lejen për të dalë nga burgu për ish-kryetarin e zgjedhur të Bashkisë së Himarës, Alfred Beleri, për të marrë pjesë në punimet e Parlamentit Evropian (PE) dhe për t’u betuar si eurodeputet, transmeton Anadolu.
Beleri është dënuar në Shqipëri me dy vite burg për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” dhe vuan dënimin në burgun e Fierit, ndërkohë pas lejes ai është larguar gjatë ditës së sotme nga ambientet e burgut.
Në një njoftim nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve e Shqipërisë (DPB) thuhet se leja për të burgosurin Alfred Beleri është miratuar nga data 15-20 korrik 2024.
“Pas kërkesës së të dënuarit Dhionisis (Alfred) Beleri për leje shpërblyese në funksion të ndjekjes së punimeve në Parlamentin Evropian nga datat 15-19 korrik 2024 në Strasburg, në bazë të ligjit ‘Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve dhe paraburgosurve’, Drejtoria e IEVP Fier (Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale Fier), me miratim të DPB-së, pas plotësimit dhe verifikimit të dokumentacionit sipas ligjit dhe akteve nënligjore në fuqi i ka miratuar dhënien e lejes shpërblyese të burgosurit Dhionisis (Alfred) Beleri nga data 15.07.2024- 20.07.2024”, thuhet në njoftim.
– Çështja ndaj Alfred Belerit
Më 12 maj 2023, Policia e Shqipërisë arrestoi kandidatin e disa partive opozitare për kryetar të Bashkisë Himarë, në Qarkun e Vlorës, Alfred Beleri, së bashku me një person tjetër, të akuzuar për veprën penale “korrupsioni aktiv në zgjedhje”. Pas përfundimit të numërimit të votave pas zgjedhjeve vendore të 14 majit, Beleri rezultoi fitues.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e Shqipërisë (GJKKO) e dënoi më 5 mars të këtij vitit me dy vite burg Belerin për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, ndërkohë çështja për këtë dënim u dërgua në apel.
Më 25 qershor Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e Shqipërisë (GJPAKKO) ka lënë në fuqi dënimin me dy vite burg.
Më 5 korrik Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Shqipërisë (KQZ) vendosi të shpallë të pavlefshëm mandatin e kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës, Alfred Beleri. Ndërkohë, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka dekretuar datën 4 gusht 2024 për zhvillimin e zgjedhjeve për kryetar bashkie në Himarë.
Arrestimi dhe dënimi i Belerit, i cili është zgjedhur anëtar i Parlamentit Evropian si përfaqësues i Greqisë, ka shkaktuar reagime të partive politike dhe të zyrtarëve të institucioneve të ndryshme në Shqipëri dhe Greqi.