Të dhënat nga FAO tregojnë se shqiptarët dhe maqedonasit konsumojnë më së paku mish në Evropë. Çmimi i mishit në rajon është rritur ndjeshëm gjatë viteve të fundit.
Ballkanasit konsumojnë shumë më pak mish se sa Evropa perëndimore. Kështu të paktën tregojnë të dhënat nga Organizata e OKB-së për Ushqim dhe Bujqësi (FAO), të vizuelizuara nga “Landgeist”.
Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë vendet që konsumojnë më së paku mish, jo vetëm në Ballkan, por edhe në gjithë Evropën. Në të dyja vendet konsumohen rreth 39 kilogramë mish për kokë banori çdo vit.
Nga vendet e rajonit konsumin më të lartë të mishit e ka Kroacia me 80 kilogramë për banor, e ndjekur nga Mali i Zi me 78 dhe Sllovenia me 70 kilogramë mish për banor. Mesatarisht, serbët hanë 56 kilogramë mish në vit, ndërsa qytetarët e Bosnjë e Hercegovinës 43 kilogramë.
Spanja është në vendin e parë në Evropë me 99 kilogramë mish për banor. Portugalia është e dyta me 95 kilogramë dhe Islanda në vendin e tretë me 91 kilogramë mish për banor.
Çmimi i mishit në rritje të vazhdueshme
Sipas një analize të TRT Balkan, të publikuar në vjeshtë, çmimet e mishit në vendet e Ballkanit janë rritur ndjeshëm. Mishi më i lirë në rajon gjendet në Shqipëri dhe Mal të Zi, me 8 dhe 8,5 euro për kilogram respektivisht, ndërsa më shtrenjtë 1 kilogram mish gjedhi paguhet në Serbi dhe Kosovë, 10 dhe 9,5 euro respektivisht. Maqedonia e Veriut dhe Bosnja e Hercegovina janë rreth mesatares prej 9 euro për një kilogram mish.
Këto çmime, si shumica e prodhimeve ushqimore, janë shumë më të larta në krahasim me një vit më parë.
Çmimet në rritje në raport me gjendjen ekonomike të qytetarëve vlerësohet si një nga faktorët për konsumin e ulët të mishit në vendet e Ballkanit.
Një raport i Eurostat-it, zyrës evropiane të statistikës, tregonte se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kryesojnë në gjithë kontinentin evropian, për nga numri i popullsisë që nuk mund të përballojnë konsumimin e mishit rregullisht.
Rreth 36,5 për qind e popullsisë së Maqedonisë së Veriut, sipas raportit, nuk mund të përballojnë një vakt me mish të kuq, pulë ose peshk çdo të dytën ditë. Menjëherë pas vjen Shqipëria me 34,3 për qind të popullsisë në pamundësi për të siguruar një vakt me mish çdo të dytën ditë.
Një e katërta e popullsisë bullgare, gjithashtu, nuk mund të shtrojë mish në tryezë çdo të dytën ditë. Në Serbi dhe Mal të Zi vetëm 14,9, respektivisht 14,5 për qind e popullsisë kanë problem të përballojnë konsumin e rregullt të mishit.
Në Kroaci problem me përballimin e mishit kanë vetëm 7,9 për qind e popullsisë, që është më pak se mesatarja e Bashkimit Evropian, ku kjo kategori e qytetarëve përbënte 8,1 për qind të popullsisë.