Presidenti Joe Biden thotë se dëshiron të sigurohet që çdo amerikan të ketë qasje në internet me shpejtësi të lartë. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Julie Taboh, Shtetet e Bashkuara do të investojnë mbi 40 miliardë dollarë për të zgjeruar shërbimet e internetit me shpejtësi të lartë.
Për shumicën e amerikanëve, qasja në internet me shpejtësi të lartë është diçka që ata e marrin si të mirëqenë. Por miliona amerikanë në rajonet rurale dhe zona të tjera të vendit, nuk kanë qasje në internet me shpejtësi të lartë.
Për të ndihmuar në ngushtimin e këtij hendeku dixhital, Presidenti Joe Biden njoftoi këtë javë një plan për investimin e mbi 40 miliardë dollarëve për të lidhur 8.5 milionë familje dhe biznese të vogla në Amerikë me rrjetin e shërbimeve të internetit të shpejtë deri në vitin 2030.
“Ky do të jetë investimi më i madh në infrastukturën e internetit me shpejtësi të lartë në vend. Në mënyrë që ekonomia e sotme të funksionojë për të gjithë, qasja në internet është po aq e rëndësishme, sa furnizimi me energji elektrike, ujë, apo shërbimet e tjera bazë”, tha Presidenti Biden.
Programi që ofron qasje me kosto të përballueshme në internet, “ACP”, që filloi të zbatohej në vitin 2021, tashmë u ofron familjeve me të ardhura të ulëta deri në 30 dollarë në muaj, ose deri në 75 dollarë në muaj në tokat e fiseve autoktone të indianëve të Amerikës, për të kompensuar faturat e internetit, si dhe një zbritje prej 100 dollarësh për blerjen e një laptopi, kompjuteri ose tableti.
Administrata amerikane po punon me më shumë se 300 organizata në të gjithë vendin, veçanërisht në komunitetet rurale, për t’i ndihmuar ata të sigurojnë qasje në internet me shpejtësi të lartë.
Kim Keenan është shefe e politikave të Institutit Progresi Dixhital, një organizatë jofitimprurëse, që po ndihmon në informimin e komuniteteve rurale rreth projekteve të internetit me shpejtësi të lartë.
“Qëllimi ynë është të sigurohemi që njerëzit ta kuptojnë se këto politika funksionojnë. T’u japësh njerëzve mundësinë që të mos kenë nevojë të zgjedhin midis ushqimit dhe internetit me shpejtësi të lartë është një gjë kaq e madhe. Pra, unë mendoj se njerëzit mund ta kuptojnë këtë dhe më pas mund të përqëndrohen në shfrytëzimin e këtyre shërbimeve. Frika e pamundësisë për të përballuar koston e internetit me shpejtësi të lartë është një nga barrierat më të mëdha për qasjen në këtë shërbim të komuniteteve me të ardhura të ulëta”, thotë ajo.
Megjithatë, ka shqetësime se programi “ACP” mund të mos financohet vitin e ardhshëm. Zonja Keenan është i bindur se kjo çështje duhet të zgjidhet.
“Ky program mund të përfundojë në prill të vitit 2024. Kjo nuk duhet të ndodhë. Ne duhet të flasim me qendrat e vendim-marrjes dhe veçanërisht me ligjvënësit e zonave tona në çdo seancë për të siguruar vazhdimin e financimit të këtij programi”, thotë ajo.
Administrata e Presidentit Biden thotë se qasja në internet me shpejtësi të lartë nuk është më një luks, por një domosdoshmëri për pjesëmarrjen e plotë të qytetarëve në aktivitetet e shoqërisë së sotme. /voa