Falënderimi i takon vetëm se Allahut dhe paqja dhe lavdia qofshin mbi Muhamedin, birin e Abdullahut dhe robin dhe të Dërguarin e Allahut.
O ju muslimanë, e porosis veten dhe juve me devotshmëri ndaj Allahut: “O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë muslimanë!”. (Ali Imran: 102)
Zakonisht në këtë periudhë të vitit shpeshtohen lidhjet martesore. Nëpërmjet martesës realizohen dëshirat e të rinjve, djemve dhe vajzave, në ngritjen e një shtëpie muslimane të lumtur, ku do të gjejnë strehimin dhe qetësinë shpirtërore dhe më vonë në brendësinë e kësaj shtëpie do të rritet një brez i ri, i pastër dhe i veçantë, nën hijen e prindit mbrojtës dhe nënës së dashur.
Cilat janë veçoritë e kësaj shtëpie? Cila është metodologjia e saj? Dhe si realizohet lumturia në të?
Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe një prej shenjave të Tij është që prej jush krijoi për ju bashkëshortet tuaja, që të qetësoheni pranë tyre, duke vënë ndërmjet jush dashuri dhe mëshirë. Me të vërtetë, në këtë ka shenja, për njerëzit që mendojnë”. (Er-Rum: 21)
Shtëpia është begati të cilës nuk ia di vlerën vetëm ai që e ka humbur dhe ka jetuar nëpër kampe apo në burgje të errëta apo ka bredhur nëpër rrugë apo fusha. Allahu i Madhëruar thotë: “Allahu ju ka dhënë shtëpi për të banuar”. (En-Nahl: 80)
Ibën Kethiri, Allahu e mëshiroftë, thotë. “Allahu përmend begatitë e Tij që ia ka dhuruar robit, prej këtyre begative është edhe shtëpia që është vend ku banojnë, mbrohen dhe në të cilën kanë shumë dobi”.
Shtëpia e muslimanit është amanet që e bartin mbi supet e tyre të dy bashkëshortët. Ata dy janë bazamenti i ngritjes së saj dhe nëpërmjet tyre shtëpia e përcakton rrugën e saj. Nëse ata përqendrohen sipas fesë së Allahut, në thënie dhe vepra, stolisen me petkun e devotshmërisë, në të jashtmen dhe të brendshmen, dhe zbukurohen me moral të mirë dhe virtyte të larta, ajo shtëpi do të bëhet vendstrehim i ndritshëm dhe në të do të përhapet mirësia dhe aty do të kaliten breza të mirë dhe të devotshëm, nga të cilat breza do të përfitojnë prindërit, shoqëritë dhe Umeti në përgjithësi.
O ju bashkëshortorë, shtëpia juaj është kala nga kalatë e kësaj feje dhe çdo njëri nga ju qëndron pranë vrimave të saj që të mos dalin nga ato ndonjë armik. Ju të dy bashkërisht jeni rojtar të kalasë. Ai që e udhëheq shtëpinë është burri, kurse respekti i tij është detyrim. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Secili prej jush jeni përgjegjës për atë që ju është dhënë në pronësi”, dhe tha “gruaja është përgjegjëse për shtëpinë e burrit të sajë dhe do të pyetët për të”.
Shtëpia e të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, është shëmbëlltyra më e mirë në tërë rruzullin tokësor. Ajo është shtëpi profetike, larg dëfrimeve dhe të kotës, e thjeshtë, larg jetës luksoze, mirëpo e mbushur me adhurime dhe lexim të Kur’anit dhe të përmendurit e Allahut.
I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, u dha grave të tij mundësi të zgjedhin, pa i detyruar në të, mes jetës së kësaj bote dhe bukurisë së saj dhe mes Allahut dhe të Dërguarit të Tij, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, dhe ahiretit: “O i Dërguar! Thuaju grave tuaja: “Nëse dëshironi jetën e kësaj bote dhe shkëlqimin e saj, ejani, unë do t’ju lë të kënaqeni për ca kohë dhe do t’ju lëshoj si është më mirë. Por, nëse dëshironi Allahun, të Dërguarin e Tij dhe botën tjetër, dijeni se Allahu ka përgatitur shpërblim të madh për ato prej jush që bëjnë vepra të mira”. (El-Ahzab: 28-29)
Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se të gjitha gratë pohuan se, e zgjedhim Allahun dhe të Dërguarin e Tij, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, dhe ahiretin.
Shtëpia e muslimanit e cila u ngrit nga brezi i parë, Islamin e mori si rrugë e thënieve dhe veprave të saj. Jetën në të e ngjyrosi me dritën e imanit dhe moralin e huazoi nga Kur’ani. Nga ajo shtëpi dolën shëmbëlltyra të rralla islame, të cilët i shënuan faqet më të bukura dhe më të shtrenjta të historisë. Ato shtëpi të asaj kohe nxorën trima e luftëtar, dijetar dhe asket, udhëheqës të drejtë, fëmijë që i respektojnë prindërit dhe gra të ndershme dhe adhuruese të Allahut.
Të tilla janë ato shtëpi që janë të ngritura mbi bazat e imanit dhe udhëzimit dhe të ndikuara nga Kur’ani.
Shtëpia e muslimanit, e pastër dhe e devotshme, është mbrojtje për natyrshmërinë e njeriut nga devijimi. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Çdo fëmijë lind në natyrshmërinë e Islamit, ndërsa janë prindërit e tij që më vonë e bëjnë të krishterë, çifut ose zjarrputist”.
Ibën Kajjimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Shumica e fëmijëve kanë devijuar si shkak i prindërve të tyre, të cilët i neglizhuan dhe i lanë anësh duke mos ua mësuar detyrimet fetare dhe rregullat e saj. I humbën të vegjël, më vonë vetes nuk i bën dobi dhe as prindërve të tyre kur u rritën”.
A ka më mirë sesa prindi t’i mbledh fëmijët në shtëpi dhe t’u lexojë atyre Kur’an dhe t’u rrëfen për historitë e pejgamberëve dhe t’ua mbjell në zemër virtytet më të larta.
Më primaren nga gjërat dhe më të lartën nga porositë që ia jep shtëpia e muslimanit shoqërisë është edukimi i fëmijëve dhe formimi i një brezi të pastër dhe të fortë. Nuk ka vlerë edukata dhe nuk lë gjurmë këshilla, përveç se me realizimin e shëmbëlltyrës së mirë te prindërit. Shëmbëlltyrë në adhurim, në moral, në thënie e vepra dhe në pamje. Allahu i Madhëruar thotë: “edhe ata që thonë: “O Zoti ynë, dhurona nga gratë tona dhe trashëgimtarët tanë, ç’është prehje për sytë tanë dhe bëna shembull për të mirët!”. (El-Furkan: 74)
Meditoje lutjen e Ibrahimit, alejhi selam: “O Zoti im, bëj që unë dhe pasardhësit e mi të kryejmë përherë namazin! O Zoti ynë, na i prano lutjet!”. (Ibrahim: 40); “Urdhëroje familjen tënde, që të falë namazin dhe këmbëngul për këtë! Ne nuk të kërkojmë ty ndonjë ushqim: jemi Ne që të ushqejmë! Përfundimi i lumtur qëndron në frikën ndaj Allahut”. (Ta Ha: 132)
Në mungesë të shtëpisë muslimane të qetë dhe të pastër, vjen devijimi, përhapet krimi, rritet numri i narkotikëve dhe i vetëvrasjeve.
Ajo shtëpi ku në të nuk mbjellët imani dhe nuk përqendrohet mbi baza të Kur’anit, prodhon elemente që jetojnë jetë me shqetësime shpirtërore, humbje të intelektit dhe shkatërrim të moralit.
Mosrespektimin e prindërve që e shohim sot nga disa fëmijë dhe marrëdhëniet e humbura mes të rinjve si dhe lënia e përgjegjësive dhe largimi nga feja e Allahut dhe rebelimi nga parimet dhe bazat e shëndosha, janë rezultat i shtëpisë e cila ka qenë e shkujdesur në edukimin e shëndoshë të fëmijëve dhe janë pasqyrë e një familjeje të shkapërderdhur mes vete.
Ajo shtëpi e cila i bën ligjet e Islamit bazament të saj, nga ajo pritet të dalin fëmijë, të cilët do ta japin kontributin e tyre për shoqërinë në veçanti dhe për Umetin në përgjithësi.
Nga veçoritë bazë të shtëpisë së muslimanit është se ajo për çdo çështje ku në të ka mospajtim, i kthehet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, sado qoftë madhësia e saj, ajo shtëpi e pranon dhe është e kënaqur me gjykimin e Allahut: “Nuk i takon asnjë besimtari apo besimtareje të vërtetë që, kur Allahu dhe i Dërguari i Tij vendosin për një çështje, ata të kenë të drejtë të zgjedhin në atë çështje të tyren. Kush e kundërshton Allahun dhe të Dërguarin e Tij, ai me siguri ka humbur”. (El-Ahzab: 36)
Lumturia dhe kënaqësia dhe jeta në shtëpinë e muslimanit, burojnë nga të përmendurit e Allahut. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, përcillet të ketë thënë: “Shembulli i asaj shtëpie ku përmendet Allahu dhe shembulli i asaj shtëpie ku nuk përmendet Allahu, është si shembulli i të gjallit dhe të vdekurit”.
Dhe të ketë thënë: “Faleni namazin (vullnetar) në shtëpitë e juaj dhe mos i bëni ato si varreza”.
Dhe të ketë thënë: “Mos i bëni shtëpitë e juaja varreza, në atë shtëpi ku lexohet surja Bekare ik shejtani nga ajo”.
Dhe të ketë thënë: “Faleni namazin në shtëpitë e juaja, namazi më i mirë është ai falet nëpër shtëpi, përveç farzit”.
Këto hadithe dhe të tjerat gjithashtu aludojnë në ligjësimin e ngjalljes së shtëpive të muslimanëve dhe të ndriçuarit e tyre me të përmendurit e Allahut dhe me faljen e namazit vullnetar. Nëse ato shtëpi janë të mangëta nga të përmendurit e Allahut dhe nga namazi vullnetar, atëherë shndërrohen në varre dhe të egra edhe nëse ato janë pallate të bukura. Mos përmendja e Allahut dhe mos leximi i Kur’anit nëpër shtëpi, ato i bën vendbanime të shejtanëve, banorët e saj me zemra të vdekur edhe pse ata janë me trupa të gjallë.
Nga veçoritë e shtëpisë së muslimanit është bashkëpunimi i anëtarëve të familjes në adhurime dhe nënshtrime. Imanin e dobët të burrit e forcon gruaja dhe sjelljen e shtrembër të gruas e përmirëson burri. Kështu arrihet deri të përsosmëria dhe shoqërimi, këshilla dhe përkrahja.
Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: “ I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, falej natën dhe pasi që e falte namazin e vitrit thoshte: “Oj Aishe, ngrihu dhe fale vitrin”.
Dhe tha: “E mëshiroftë Allahu njeriun, i cili ngrihet për të falur namaz nate dhe e zgjon edhe gruan e tij për të falur, e nëse ajo refuzon, e stërpikë fytyrën e saj me ujë. E mëshiroftë Allahu atë grua, e cila ngrihet për të falur namaz nate dhe e zgjon edhe burrin e saj për të falur, e nëse ajo refuzon, e stërpikë fytyrën e saj me ujë”.
Dy hadithet e fundit aludojnë se edhe burri edhe gruaja kanë rolin e tyre në përmirësimin e njëri-tjetrit dhe të nxitjes së njëri-tjetrit në adhurime. Kjo, sepse lidhja mes tyre në bazë është imanore dhe ata njëri-tjetrit ia shtrijnë dorën e përkrahjes dhe ndihmës.
Shtëpia e muslimanit formohet mbi dituri dhe vepër. Dituri e cila e drejton kah rruga e drejtë dhe ia qartëson rrugën e zjarrit të Xhehenemit, dituri mbi etikën e pastërtisë dhe dispozitave të namazit dhe etikës se kërkimit të lejes për hyrje dhe hallallit dhe haramit. Kjo shtëpi nuk i injoron dispozitat e fesë, po ato vetëm se i shton dhe vepron me to.
Nga veçoritë e shtëpisë së muslimanit është turpi. Me të shtëpisë i mbrohet ekzistenca nga shigjetat e shthurjes dhe mjeteve të sherrit, të cilat tentojnë ta lëndojnë dhe nga ajo turpin ta largojnë. Filmat, serialet, muzikat, alkooli, zhveshja e grave janë vetëm disa nga mjetet dhe armët e tyre, nëpërmjet të cilave dëshirojnë që gruas mbulesën t’ia largojnë dhe nderin e saj ta shkatërrojnë.
Nga veçoritë e shtëpisë së muslimanit është se fshehtësitë e saj janë të ruajtura, mosmarrëveshjet mes tyre të fshehura, nuk përhapet dhe nuk flitet për to. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Nga njerëzit më të këqij në pozitë në Ditën e Kiametit tek Allahu është ai burrë që i afrohet gruas dhe ajo grua që i afrohet burrit të saj, e pastaj i përhapin fshehtësitë që ndodhin mes tyre”.
Shtëpia e muslimanit i ngrit marrëdhëniet e saj me shoqërinë sipas bazave të imanit. Ajo shton nga drita me vizitën e saj që ia bëjnë njerëzit e mirë dhe dijetarët. Besimtari është sikurse bartësi i miskut, i cili ose të jep nga ai miskë, ose të nxit ta blesh ose nuhat nga era e tij: “O Zoti im, falmë mua dhe prindërit e mi, si dhe çdo besimtar, që kërkon strehim në shtëpinë time! Fali të gjithë besimtarët e besimtaret, ndërsa keqbërësve shtoju vetëm shkatërrim!”. (Nuh: 28)
Nuk hyn në shtëpinë e muslimanit ai njeri, anëtarët e së cilës nuk janë të kënaqur nga feja e tij. Hyrja e njeriut të ligë në shtëpi, shtëpinë e ligë dhe e shkatërron duke i bartur fjalët, apo duke përgojuar apo duke i bërë dëm, duke i bërë magji apo duke vjedhur nga ajo.
Anëtarët e shtëpisë së muslimanët bashkëpunojnë mes veti dhe i kryejnë bashkërisht detyrat e shtëpisë. Ne model e kemi të Dërguarin e Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ku për të thotë Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të: Ishte njëri prej njerëzve, pastronte rrobat e tij, milte delen e tij dhe shërbente vetveten.
Me një transmetim: “I qepte rrobat e tij, arnonte këpucët, nallanet dhe bënte atë bëjnë burrat në shtëpi”.
Me një transmetim: “Shërbente familjen e tij, kurse kur vinte koha e namazit, dilte për të falë namazin”.
O muslimanë, nëse nga ne kërkohej që ta zgjedhim nga dynjaja më të bukurën, të gjithë do të zgjidhnin të jenë të lumtur në mesin familjar.
Kjo lumturi në shtëpinë e muslimanit nuk realizohet me posedimin e shtëpisë së bukur dhe mobileve të shtrenjta dhe rrobave të shtrenjta. Kjo është bindje e gabuar.
Lumturia arrihet me realizimin e devotshmërisë tek bashkëshortët dhe frika nga mbikëqyrja e Allahut në publik dhe në vetmi. Lumturia realizohet kur të dy bashkëshortët e shohin martesën si adhurim, ku nëpërmjet saj i afrohen Allahut, sipas realizimit të detyrimeve bashkëshortore me sinqeritet dhe bindje.
Nën hijen e këtyre kuptimeve ngrihet shtëpia e lumtur e muslimanit, në të cilën adhurohet Allahu, falet namazi dhe lexohet Kur’ani. Shtëpi ku mbisundojnë dashuria dhe afërsia dhe rriten breza të mira të cilat do të jenë kënaqësia e syve të prindërve dhe burim i tyre për çdo të mirë të dynjasë dhe ahiretit: “Cilindo mashkull apo femër që kryen vepra të mira, duke qenë besimtar, Ne do ta bëjmë që të kalojë jetë të bukur dhe do ta shpërblejmë sipas veprave më të mira, që ka bërë”. (En-Nahl: 97)
Shejh Abdulbarij Thubejti
Nga arabishtja: Irfan JAHIU