Për shkak se deputetja Drita Millaku gjendet në Slloveni për arsye shëndetësore, është shtyrë seanca e së martës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku e njëjta bashkë me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe deputetët e Vetëvendosjes Fitore Pacolli-Dalipi dhe Salih Zyba po akuzohen se në mars të 2018-ës kishin ndezur gaz lotsjellës, me ç‘rast kishin pamundësuar mbajtjen e seancës plenare në Kuvendin e Kosovës.
Ministri Sveçla dhe tre deputetët nga radhët e LVV-së, Millaku, Zyba dhe Pacolli-Dalipi po akuzohen se më 21 mars 2018, rreth orës 12:10 e deri në orën 15:40, kanë ndezur disa bombola të gazit lotsjellës, të cilat i kishin hedhur brenda sallës së Kuvendit të Kosovës, ku po mbahej seanca plenare e si rrjedhojë e kësaj, të gjithë deputetët ishin detyruar ta lironin sallën e Kuvendit, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Lidhur me mungesën e të akuzuarës Millaku, gjykatësi i rastit Sabit Sadikaj tha se e akuzuara paraprakisht e ka njoftuar gjykatën se është në Slloveni për arsye shëndetësore dhe nuk mund të paraqitet në seancë.
Në këto rrethana, seanca e sotme u shty.
Të pranishëm në seancë ishin ministri Sveçla dhe deputetët Pacolli-Dalipi dhe Zyba, si dhe prokurori Eset Rama.
Ndryshe, redaksia në tetor të vitit 2021 kishte raportuar ekskluzivisht për aktakuzën e ngritur ndaj ministrit Sveçla dhe deputetëve Millaku, Zyba dhe Pacolli-Rexhepi.
Sipas aktakuzës së siguruar e cila rezulton të jetë ngritur më 29 korrik 2019, Sveçla, Millaku, Zyba dhe Pacolli-Dalipi po akuzohen se më 21 mars 2018, rreth orës 12:10 e deri në orën 15:40, kanë ndezur disa bombola të gazit lotsjellës, të cilat i kishin hedhur brenda sallës së Kuvendit të Kosovës, ku po mbahej seanca plenare.
Aty thuhet se si rrjedhojë e kësaj, të gjithë deputetët ishin detyruar ta lironin sallën e Kuvendit, me ç’rast kanë pamundësuar vazhdimin e seancës.
Me këtë, secili veç e veç akuzohen se kanë kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 375, paragrafi 1 të Kodit Penal, kryerësi i së cilës dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet.
Kurse, sipas dispozitivit të dytë, thuhet se secili veç e veç kanë kryer veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” nga neni 409, paragrafi 1 të Kodit Penal, pasi kanë penguar deputetët e Kuvendit të Kosovës ne kryerjen e detyrave zyrtare. Kryerësi i kësaj vepre dënohet me burgim prej tre muaj deri në tre vjet.