RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

S’kalon propozimi i Rusisë për seancë të jashtëzakonshme për Kosovën në KS të OKB-së

s’kalon-propozimi-i-rusise-per-seance-te-jashtezakonshme-per-kosoven-ne-ks-te-okb-se

Në një votim procedural Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara nuk ka miratuar agjendën e përkohshme të rendit të ditës, ku ishte kërkesa e delegacionit të Rusisë për të mbajtur seancë të jashtëzakonshme për Kosovën në lidhje me 25-vjetorin e bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve serbe.

Vetëm tre anëtarë votuan pro, e 12 tjerë abstenuan në votimin procedural.

Përfaqësuesit e Francës dhe SHBA-së insistuan se Rusia nuk është konsultuar fare me anëtarët e KS-së për këtë seancë. E përfaqësuesi i Rusisë ka insistuar se ajo kishte figuruar në agjendën dhe ishte publikuar në kalendar nga Presidenca Japoneze e OKB-së.

Kjo është hera e dytë brenda këtij viti Rusia po tenton ta shtrojë për diskutim çështjen e Kosovës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Duke marrë shkas nga përvjetori i 25-të i intervenimit të NATO-s ndaj caqeve ushtarake dhe policore serbe, Moska u ka kërkuar anëtarëve të tjerë që t’ia mbështesin kërkesën, që sonte, prej orës 21:00, të flitet për intervenimin, por edhe për situatën e sigurisë në Kosovë.

Përfaqësuesi i SHBA-së në OKB, Robert Wood, tha se vota e SHBA-së ishte abstenim për shkak të çasjes së Rusisë.

“Është fatkeqe që Federata Ruse ia humbi kohën këtij Këshilli. Kjo ka të bëjë me çasjen e Federatës Ruse se është ose sipas rrugës sime ose fare. Këshilli nuk funksionon kështu. SHBA-ja nuk ka asgjë për të fshehur për sa i përket mbështetjes së saj për operacionet e NATO-s të vitit 1999, veprimet ishin të domosdoshme, legjitime, për ta ndaluar spastrimin etnik në Kosovë. SHBA-ja votoi kësaj radhe për të abstenuar shkaku i çasjes së Rusisë. Por, mbështesim takim në formatin e duhur, që adreson çështjen e atij viti. S’mund të mbështesim seancë që në mënyrë flagrante instrumentalizon ngjarjet e një shekulli më parë. Fakti që Rusia shpreh kundërshtimin për pjesëmarrjen e Kosovës këtu sot, tregon për qëllimet e saj. Takimi që kërkoi Rusia nuk ka të bëjë me Këshillin, janë përpjekje të Kremlinit për të minuar stabilitetin në Ballkan e për të shfrytëzuar Këshillin për propagandë të saj”, tha Wood.

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, në një prononcim për gazetarë ka thënë se është i zhgënjyer që “nuk u lejua të dëgjohej në Këshill të Sigurimit e vërteta për agresionin e NATO-s kundër RF Jugosllavisë në vitin 1999”, raporton “RTS”.

“Ne erdhëm këtu me ftesë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe besojmë se tema është jashtëzakonisht e rëndësishme për rendin juridik ndërkombëtar, dhe si me bombardimin e Serbisë që u bë precedent, ndodhi edhe një precedent me votimin procedural”, tha Daçiq.

Ai ka falënderuar Rusinë, Kinën e Algjerinë që kishin votuar pro mbajtjes së seancës që ishte thirrur nga Rusia.

“A ka nevojë për ndërhyrje humanitare kundër Prishtinës tash kur po bëhen krime ndaj popullit serb, kur 14 për qind e serbëve janë dëbuar në muajt e fundit, kur Prishtina nuk dëshiron të formojë AKS-në, por për këtë po shpërblehet me anëtarësim në organizata të ndryshme ndërkombëtare”, tha Daçiq.

Related posts

Zyrtari i Hamasit thotë se zgjatja e armëpushimit ‘lajm i mirë’, kërkon fundin e luftës

rezart morina

Mediat zvicerane: Erdoğan, favorit në raundin e dytë të zgjedhjeve në Türkiye

admin

E rëndë në Kosovë/ Një 13-vjeçare dyshohet se u ngacmua seksualisht nga mësuesi në ambientet e shkollës

admin