RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Sofja akuzon Shkupin për brutalitet dhe nxitje të urrejtjes

sofja-akuzon-shkupin-per-brutalitet-dhe-nxitje-te-urrejtjes

Bullgaria i ka bërë thirrje Qeverisë maqedonase që sa më shpejt t’i zbardhë sulmet ndaj klubit kulturor bullgar “Cari Borisi i Tretë”.

Më 22 nëntor janë thyer xhamat e objektit ku është vendosur klubi, ndërsa një ditë më pas, në mbrëmje është shtënë me armë zjarri në drejtim të zyrës së këtij klubi, dhe është dëmtuar pllaka që mban emrin “Car Borisi i Tretë”, por nuk ka pasur pasoja në njerëz.

Zyra e klubit kulturor “Cari Borisi i Tretë” është në Ohër.

Policia e Ohrit tha se po heton incidentin, por ende nuk ka të dyshuar për autorët e sulmit.

Televizioni kombëtar bullgar, BTV, publikoi video nga kamerat e sigurisë, ku duken tre persona duke gjuajtur me gurë në drejtim të këtij klubi.

Shkak i incidenteve në dy ditët e fundit është emri që mban ky klub.
Car Borisi i Tretë, i cili ka sunduar Bullgarinë në vitet 1918-1943, konsiderohet si bashkëpunëtor i Gjermanisë naziste dhe organizator i dëbimit dhe vrasjes së 7.144 hebrenjve nga Maqedonia e Veriut.

“Ky nuk është akt vandal, por vepër e rëndë penale, sulmi i tretë ndaj këtij klubi në më pak se dy muaj. Lidhur me këtë rast, të enjten në Ministrinë e Punëve të Jashtme është thirrur në takim ambasadorja e Maqedonisë së Veriut, Agnesa Rusi-Popovska, së cilës iu dorëzua një notë proteste”, thuhet në komunikatën e MPJ-së së Bullgarisë.

Sofja për këtë incident ka njoftuar edhe Bashkimin Evropian, duke tërhequr vërejtjen për pasojat në raportet mes dy vendeve nëse rastet e këtilla nuk marrin epilog.

Autoritetet maqedonase thanë se me kohë kanë tërhequr vërejtjen se emrat e klubeve bullgare mund të jenë shkas për incidente dhe kishin bërë thirrje për kujdes me emërtimin e tyre, pasi më herët legjislacioni maqedonas nuk e kufizonte një gjë të tillë.

“Që kur janë hapur këto klube unë kam thënë se emrat që mbajnë mund të paraqesin provokim, pasi përçojnë ndjenja negative te pjesa më e madhe e shoqërisë sonë. Emrat që mbajnë këto klube janë të lidhur me periudhën më të errët të historisë evropiane dhe të popullit tonë. Që atëherë kam bërë thirrje se duhet të hapen klube që afrojnë dy kombet tona dhe jo që nxisin ndarje”, ka deklaruar kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski

Ai u bëri thirrje qytetarëve për qetësi dhe “të sillen me dinjitet dhe në përputhje me vlerat evropiane”.

Pas miratimit të Ligjit që ndalon formimin e shoqatave dhe klubeve me emra që kontestohen, që nxisin urrejtje kombëtare, racore, fetare apo që kanë qenë bashkëpunëtorë të nazizmit, kryeministri maqedonas tha se ka nevojë për miratimin edhe të një ligji të ri lidhur me formën e veprimit të shoqatave e klubeve.

Në Maqedoninë e Veriut aktualisht veprojnë tri klube bullgare me emrat “Car Borisi i Tretë”, “Vanço Mihajllov” dhe “Car Ferdinandi”, që të tre bashkëpunëtorë dhe mbështetës të Gjermanisë naziste.

Incidentet po ndodhin në momentin kur ekspertë të historisë së dy shteteve po diskutojnë për të kaluarën historike mes dy vendeve, përkatësisht prejardhjen dhe angazhimin e tyre në periudhën e para Luftës së Dytë Botërore.

Historiani bullgar, Angel Dimitrov, dënoi incidentet, por tha se beson se nuk do të ndikojnë në punën e komisionit të përbashkët të historisë.

“Është një akt brutal i urrejtjes. Incidentet si ky i fundit ndikojnë në marrëdhëniet dypalëshe, por jo në punën e Komisionit Historik, sepse ne kemi qasjen tonë shkencore për zgjidhjen e problemeve”, deklaroi në Shkup Dimitrov, para fillimit të takimit të ri të Komisionit.

Në vitin 2017, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria nënshkruan Marrëveshjen për fqinjësi të mirë, që synonte kapërcimin e dallimeve për çështjet që kanë të bëjnë me gjuhën, identitetin dhe të kaluarën historike mes dy vendeve.

Por, kjo marrëveshje tensionoi edhe më shumë raportet, duke bërë që Sofja në vitin 2020 të bllokojë nisjen e bisedimeve të anëtarësimit evropian të Maqedonisë së Veriut.

Vetoja bullgare u hoq më 16 korrik, pasi Shkupi pranoi një propozim francez për zgjidhjen e dallimeve mes dy vendeve, megjithëse Maqedonia e Veriut duhet të ndryshojë edhe Kushtetutën e saj për përfshirjen e pakicës bullgare në të, pasi propozimi francez i jep mundësi Sofjes që sërish të mund të bllokojë bisedimet me BE-në. /rel

Related posts

Kina vendos kufizime të reja për grupet fetare

rezart morina

Bislimi e Petkoviq pritet të takohen në Bruksel për dinarin

rezart morina

Përfaqësuesit e BDI-së dhe LSDM-së votuan për pranimin e Kosovës në KE, përfaqësuesit e OBRM-PDUKM-së nuk morën pjesë

RTI