Spanja ka bërë të ditur se nuk do të përkrahë aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Këtë e bëri të ditur të martën përfaqësues i Spanjës për BE, Pascual Navarro, gjatë paraqitjes para Komisionit të Përbashkët për BE-në.
Ai deklaroi se Spanja nuk e njeh Kosovën, prandaj do të votojë kundër çdo vendimi procedural dhe dhënies së statusit kandidat të Kosovës.
“Pasi Kosova të ketë dorëzuar zyrtarisht kërkesën e saj për anëtarësim në Presidencën aktuale, në këtë rast Republikën Çeke, duhet të merret një “vendim procedural”, të cilin supozohet se Suedia do ta miratojë që nga janari si Presidencë e re”, tha Navarro.
Tutje shtoi se nuk është e jashtëzakonshme që të kërkohet mendimi i Komisionit Evropian dhe më pas të debatohet për këtë çështje në Këshillin e Çështjeve të Përgjithshme, dhe në fund të vendoset liderët evropianë në Këshillin Evropian.
“Qeveria nuk do të mbështesë kandidaturën në rrethanat aktuale dhe ky qëndrim nuk ka ndryshuar”, theksoi ai.
Megjithatë, Navarro thotë se Qeveria e Spanjës “ka qëndrim konstruktiv” në lidhje me Ballkanin Perëndimor, mbështet dialogun dhe së fundi liberalizimin e vizave për Kosovën.
Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i dorëzoi të enjten Çekisë – vendit që aktualisht kryeson Presidencën e Bashkimit Evropian – aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE.
“Kemi ardhur në Pragë për të riafirmuar zotimin e pandryshueshëm të Kosovës ndaj vlerave themelore të BE-së, lirisë, demokracisë, të drejtave të njeriut, barazisë dhe sundimit të ligjit, duke dorëzuar aplikimin për anëtarësim në BE”, tha Kurti.
Kreu qeveritar e ka quajtur një ditë historike për Kosovën dhe një ditë e madhe për demokracinë në Evropë.
Ceremonia u mbajt në ndërtesën e Qeverisë çeke në Pragë, ndërsa dokumentin e aplikimit e pranoi ministri për Çështje Evropiane i Çekisë, Mikulash Bek.