RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Stuhia Hilary godet Kaliforninë dhe Meksikën: rrugë të përmbytura, makina të bllokuara

stuhia-hilary-godet-kalifornine-dhe-meksiken:-rruge-te-permbytura,-makina-te-bllokuara

Stuhia tropikale Hilary ka bërë që rrugët në të gjithë gadishullin e thatë Baja California të Meksikës të preken nga përmbytje vdekjeprurëse të dielën. Stuhia vazhdoi të lëvizte drejt pjesës jugore të Kalifornisë, ku përmbyti rrugë dhe rrëzoi pemë.

Autoritetet kombëtare janë shprehur të shqetësuara se përmbytjet mund të godasin edhe pjesët e tjera të vendit, deri në zona në pjesën veriore të vendit, si Ajdaho.

Sipas parashikuesve të motit, kjo është hera e parë në 84 vjet që Kalifornia Jugore goditet nga një stuhi tropikale. Këtë herë, stuhia Hilary ka sjellë përmbytje, rrëshqitje dheu, erëra të forta, ndërprerje të energjisë dhe rrezik për tornado.

Ajo bëri që në disa zona malore të binte shi më shumë se 15 centimetra, ndërsa iu afrua shifrave vjetore të shiut në zonat me shkretëtirë.

Në mbrëmjen e së dielës, Shërbimi Kombëtar i Motit në Los Anxhelos të Kalifornisë paralajmëroi për rrezik të konsiderueshëm nga përmbytjet në zonat malore në verilindje të Los Anxhelosit.

“JU LUTEM … QËNDRONI LARG RRUGËVE”, postoi agjencia në platformën X, të njohur më parë si Twitter.

Një person u mbyt më 19 gusht në qytetin meksikan Santa Rosalia në automjetin e tij shkaku i përmbytjeve. Ekipet e shpëtimit i shpëtuan katër persona të tjerë, tha Edith Aguilar Villavicencio, kryetarja e komunës Mulege.

Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Neësom, dhe ai i Nevadës, Joe Lombardo, kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme në zonat e drejtuara nga ta. Agjencia Federale e Menaxhimit të Emergjencave tha se ekipet emergjente janë të gatshme për t’i furnizuar qytetarët në nevojë me ushqim, ujë dhe ndihmë të tjera.

“U bëj thirrje të gjithëve, të gjithëve në rrugën e kësaj stuhie, të marrin masa paraprake dhe të dëgjojnë udhëzimet e zyrtarëve shtetërorë dhe lokalë”, tha presidenti i SHBA-së, Joe Biden.

Më vonë, Biden shkoi se është duke u informuar vazhdimisht për stuhinë dhe se ishte i gatshëm të ofrojë ndihmë federale.

Nga San Diego e deri në Los Anxhelos raportohet për baltë dhe gurë në autostrada, rrugë të përmbytura dhe pemë të rrëzuara nëpër lagje banimi.

Dhjetëra makina u bllokuan shkaku i përmbytjeve në shkretëtirën zakonisht të nxehtë dhe të thatë dhe në komunitetet përreth përgjatë luginës së Coachellas.

Distrikti i Unifikuar Shkollor i Los Anxhelosit, sistemi i dytë më i madh edukativ në vend, tha se të gjitha kampuset do të mbyllen të hënën. Shkollat e San Diegos shtynë ditën e parë të mësimit nga e hëna në të martën.

Pjesa jugore e Kalifornisë pësoi gjithashtu edhe nga një tërmet paraprak me magnitudë prej 5.1 ballësh, që goditi rreth 130 kilometra në veriperëndim të qendrës së Los Anxhelosit pasditen e së dielës, sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së. Autoritetet përgjegjëse nuk kanë bërë të ditur për dëme të mëdha apo njerëz të lënduar.

Para kësaj stuhie, SHBA-ja, Kanadaja dhe Meksika janë goditur edhe nga fatkeqësi të tjera klimatike gjatë këtij viti. Ishulli Maui i Hauait është ende duke u përballur me zjarre masive, që kanë vrarë mbi 100 njerëz dhe kanë shkatërruar qytetin historik të Lahainas. Ndërkohë, edhe zjarrfikësit në Kanada po përballen me një numër rekord të zjarreve masive këtë vit.

Sipas autoriteteve, stuhia Hilary mund t’i godasë edhe shtetet në perëndim të SHBA-së me reshje të rralla shiu, duke u regjistruar si cikloni që ka sjellë më së shumti reshje shiu në Nevada, Oregon dhe Ajdaho.

Në shtator të vitit 1939, një stuhi tropikale në Kaliforni shkatërroi shinat e trenit, nxori shtëpi nga themelet e tyre dhe përmbysi shumë varka, duke vrarë afro 100 njerëz. /rel

Related posts

Subvencionimi i teksteve shkollore, reagon Iniciativa CorrWatch

RTI

Analiza e DW: Sa është dobësuar Hezbollahu pas sulmeve izraelite? Spekulimet për mbështetjen e Iranit

admin

Mustafa: Herët a vonë, Lugina e Preshevës do të bëhet pjesë e Kosovës

admin