Lideri i partisë së ekstremit të djathtë në Suedi, Jimmie Akesson, propozoi të shtunën ndalimin e ndërtimit të xhamive të reja dhe prishjen e atyre ekzistuese në vend, raporton Anadolu.
Lideri i demokratëve suedezë, Akesson, i cili mbështet qeverinë e koalicionit të kryeministrit Ulf Kristersson në Suedi, tha në një aktivitet në qytetin juglindor të Vasteras se migrantët nuk duhet të kenë të drejtë të ndërtojnë xhami të reja.
Akesson, i shqetësuar nga protestat anti-izraelite dhe mbështetja e mediave suedeze për Palestinën, tha se protestat e kanë origjinën nga xhamitë, duke sugjeruar kështu prishjen e tyre.
Ai gjithashtu kërkoi ndalimin e ndërtimit të xhamive të reja.
“Në afat të gjatë, ne duhet të fillojmë konfiskimin dhe prishjen e xhamive nga të cilat buron propaganda antidemokratike, anti-suedeze, homofobike dhe antisemitike”, tha Akesson.
Demokratët suedezë, me rrënjë naziste, u bënë partia e dytë më e madhe në Parlament pas zgjedhjeve të përgjithshme të vitit të kaluar.