Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se kriminelët duhet të ndëshkohen që të mos përsëriten sulme si ato në veri vitin e kaluar.
Në takim me shefen e operacioneve aktuale, Divizioni për Operacione i Shtabit të Përgjithshëm të NATO-s, Ariella Viehe, Sveçla ka shprehur shqetësim për qasjen destruktive të Serbisë.
Ata kanë biseduar për situatën e sigurisë në Kosovë, me theks në veri.
“Kam shprehur shqetësimin për qasjen e vazhdueshme destruktive të Serbisë si dhe për gjuhën e veprimet e saj kërcënuese në raport me Republikën tonë. Theksova rëndësinë e ndëshkueshmërisë së ekstremistëve të dhunshëm e terroristëve, si garancë e mospërsëritjes së sulmeve me të cilat jemi ballafaquar së bashku me pjesëtarët e KFOR”, ka thënë ai.
Të premten, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se NATO po ashtu duhet t’i trajtojë me seriozitet lëvizjet e trupave ushtarake serbe përreth kufirit me Kosovën, kur takoi Viehen. Ai ka theksuar se vendosja e trupave serbe është kërcënim për stabilitetin.