Të rinjtë mendojnë se anëtarësimi në Bashkimin Europian do të realizojë ëndrrat e tyre për një jetë më të mirë dhe më shumë mundësi punësimi dhe do të ndihmojë në përparimin e vendit.
Vesa Sherifi, një studente e mjekësisë në Universitetin St. Cyril, në Shkup, dëshiron t’i shërbejë vendit të saj. Por mundësitë janë të kufizuara në Maqedoninë e Veriut dhe ajo shpreson të gjejë një të ardhme më të mirë jashtë vendit.
Pikërisht për këtë arsye, ajo shpresonte se vendimi i shumëpritur për hyrjen e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian, do të arrihej kur udhëheqësit e zgjedhur të vendeve të Ballkanit, të takoheshin me përfaqësuesit e bllokut prej 27 anëtarësh, në Bruksel, më 23 qershor.
Por pritja 18-vjeçare e vendit, që kur ai aplikoi për anëtarësim në BE në vitin 2004, u zgjat pasi BE-ja nuk arriti në një konsensus. Që kur aplikoi zyrtarisht për anëtarësim në BE, Maqedonia e Veriut u përball me kundërshtime nga Greqia dhe më pas nga Bullgaria.
“Do të doja ta vazhdoja karrierën në vendin tim, por kjo është një sfidë gjithnjë e më e madhe për shkak të mungesës së mundësive”, thotë Sherifi për TRT World. “Është koha që Europa të veprojë në të mirë të njerëzve të vendit tim. Besoj se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria e meritojnë plotësisht të jenë pjesë e BE-së.
Një ditë pas përfundimit të bisedimeve në Bruksel, Parlamenti i Bullgarisë miratoi heqjen e vetos së vendit për hapjen e bisedimeve të pranimit në BE me Maqedoninë e Veriut. Por nuk dihet se kur do të mblidhen sërish anëtarët e bllokut për të diskutuar aplikimet për anëtarësim.
Përveç Maqedonisë së Veriut, gjashtë vende të tjera janë aktualisht kandidate zyrtare për anëtarësim në BE: Turqia, Mali i Zi, Serbia, Shqipëria, Moldavia dhe Ukraina. Kandidaturat e dy vendeve të fundit u miratuan në Samitin e Brukselit.
Për të rinjtë e Maqedonisë së Veriut, si Sherifi, anëtarësimi në BE mund të hapë rrugën për punësim dhe biznes, të përmirësojë komunikimin brenda bllokut dhe të ndihmojë vendin që të zhvillohet në planin afatgjatë.
Premtime të pambajtura
Bullgaria e ka bllokuar kërkesën e Maqedonisë së Veriut që nga viti 2020, duke këmbëngulur që vendi ballkanik të pranojë zyrtarisht se gjuha e tij ka rrënjë bullgare, të njohë një pakicë bullgare në Kushtetutën e tij dhe të eliminojë retorikën “antibullgare”.
Maqedonia e Veriut i ka refuzuar vazhdimisht këto kërkesa, duke thënë se identiteti dhe gjuha e saj nuk janë të hapura për diskutim.
Për njerëzit e Maqedonisë së Veriut, kundërshtimet e Bullgarisë erdhën si një goditje e dyfishtë, pikërisht kur ata mendonin se rruga ishte hapur tashmë pas zgjidhjes së një mosmarrëveshjeje me Greqinë.
Athina kishte protestuar ndaj anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut, për shkak të emrit të mëparshëm, Maqedoni, duke pretenduar se Greqia kishte një provincë me të njëjtin emër, ku ndodhet qyteti i saj i dytë më i madh, Selaniku.
Në vitin 2018, të dy vendet nënshkruan Marrëveshjen e Prespës, sipas së cilës, vendi u riemërua “Republika e Maqedonisë së Veriut” dhe Greqia tërhoqi zyrtarisht kundërshtimin e saj. Ndryshimi i emrit e ndihmoi vendin të anëtarësohej në NATO.
“Me ndryshimin e emrit të vendit, njerëzit besuan (dhe iu premtua) se ky ishte ndryshimi i fundit i dhimbshëm që duhej bërë për të nisur anëtarësimin në BE.
Por në të vërtetë, situata është ndryshe”, thotë Vladimir Gjorgjevski, kreu i degës së Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO), një organizatë e krijuar nga BE-ja për të rritur bashkëpunimin mes të rinjve të Ballkanit Perëndimor.
“Sidomos për të rinjtë, është e papranueshme dhe madje e pakuptueshme, që një anëtar i vetëm i BE-së, mund të bllokojë të gjithë procesin e anëtarësimit, jo vetëm të fqinjit të tij, por edhe të Shqipërisë, për një mosmarrëveshje identiteti që në shekullin XXI nuk duhet të shihet si problem”, shton Gjorgjevski.
“Mendimi i përgjithshëm i njerëzve për samitin e fundit, është se ai është veçse një paradë fotografike ku dëgjojmë të njëjtat premtime të vjetra, pa ndonjë rezultat konkret”.
Bllokada bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut, ka penguar edhe procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, pasi BE-ja e lidhi anëtarësimin e të dy vendeve. Kroacia ishte vendi i fundit që iu bashkua BE-së, në vitin 2013.
Metodija Stojceski, president dhe drejtor ekzekutiv i Aleancës Rinore jofitimprurëse në Krushevë, është një tjetër njeri i zhgënjyer. “Pritshmëritë tona nga Samiti i Brukselit nuk janë pozitive. Mendoj se ne si shoqëri, i kemi bërë detyrat tona dhe tani gjithçka është në dorën e politikanëve të BE-së”.
Ai sheh edhe një zgjidhje tjetër të mundshme për ngërçin. “Mendoj se tani, e vetmja mundësi për të rinjtë është të shpresojnë se Bashkimi Europian do të reformohet dhe do t’i ofrojë Ballkanit Perëndimor një bashkim të gjerë politik dhe ekonomik, pa anëtarësim të plotë… një lloj pakete të veçantë”, tha Stojceski, për TRT World.
Përveç maqedonasve etnikë, qytetarët me rrënjë shqiptare dhe turke janë dëshpëruar gjithashtu nga vonesa e BE-së, që shumë mendojnë se është arsyeja e “largimit të trurit” nga Maqedonia e Veriut.
“Zgjatja e procesit të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE, po e detyron popullatën e re të migrojë. Në fakt, procesi i integrimit në BE është vonuar në mënyrë të panevojshme”, thotë Sevba Abdula, kryetarja e shoqatës Fettah Efendi, një organizatë rinore që punon në fushat e arsimit, njohurive dhe ideve kërkimore, për të frymëzuar komunitetin shqiptar dhe atë turk në Shkup.
“Është në interes të shoqërive ballkanike, veçanërisht të rinjve, që të përqafojnë perspektivën e BE-së. Meqenëse demokratizimi, qeverisja e mirë, sundimi i ligjit, multikulturalizmi, barazia etj., janë të mundshme vetëm me BE-në, kjo është arsyeja pse shumica e të rinjve po përpiqen të mbajnë gjallë shpresat e tyre”, tha Abdula për TRT World.
Me kalimin e viteve, shumë të rinj kanë emigruar në vendet europiane, në kërkim të një jete më të mirë dhe një të ardhmeje më të mirë, që BE-ja kishte premtuar se do ta sillte në Maqedoninë e Veriut, 18 vite më parë.
Ata që vendosën të qëndrojnë, tani presin dhe shpresojnë. /monitor