Ka pasur tensione në fund të konferencës për media mes kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Gjithçka nisi kur Rama u shpreh se propozimin e tij për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe ia kishte dërguar Gjermanisë e Francës të cilat i quajti “kumbarë të marrëveshjes mes Serbisë dhe Kosovës”.
Vuçiqi u përgjigj me ton më të ashpër duke i reaguar e duke thënë “në Serbi njerëzit i zgjedhin kumbarët e tyre”, duke shtuar se “vetëm Serbia mund ta propozojë statutin e Asociacionit, sepse kështu është sipas Marrëveshjes së Brukselit”.
Vërehet se disa herë të dy ndërpresin njëri-tjetrin gjatë përgjigjeve.
Si ndodhi përplasja?
Pas deklaratës së Ramës se draftstatutin ia ka dërguar Francës dhe Gjermanisë si “kumbarë të marrëveshjes”, pasoi deklarata e Vuçiqit:
“Të vetmit kompetentë për ta paraqitur statut nuk janë kurrfarë kumbarësh, kurrfarë France e Gjermanie, e as kushdo tjetër, por ekipi menaxhues serb, në përputhje me marrëveshjen e parë të Brukselit dhe gjithë ato që janë arritur deri në gusht të 2015-s. Nuk ekziston askush tjetër, në kuadër të rregulloret ligjore që është i obliguar që të paraqes draftstatut dhe që është i obliguar të marrë pjesë në gjithë procesin e hartimit të statutit jashtë ekipit menaxhues serb. Kjo është e gjitha, nuk do të vazhdojmë të flasim sonte…”
Rama iu përgjigj:
“Jo, ata janë kumbarë të planit franko-gjerman, jo të statutit. Kancelari gjerman dhe president francez janë kumbarë të planit franko-gjerman ngase ky është plan që buron nga Franca e Gjermania, nuk e ka nxjerrë Serbia draftin e këtij plani pasi që është fjala për propozimin e draftit të statutit, përsëris, ai ishte vetëm një kontribut që është i drejtuar mbërritjes së një ndikimi pozitiv në këtë proces. Nuk e ka kurrfarë synimi tjetër dhe nuk ka kurrfarë kërkesa nga anash për të pranuar. Por konsideroj që, në rast se palët e interesuara për t’u marrë me të dhe ta lexojnë, atëherë do të gjejnë shumë arsye për ta pranuar, qoftë edhe pjesërisht.
Sërish fjalën e mori Vuçiqi:
Për këtë arsye në Serbi kumbarët i zgjidhni vetë dhe i ftoni në pagëzime apo në dasma. Te ne kumbarë nuk quhen ata që ua imponojnë vendimet e caktuara…