Kryeministri shqiptar, Edi Rama e përshkroi mënyrën se si emigrantët e vendit të tij u veçuan për qëllime politike në BM nga Suella Braverman dhe ministra të tjerë si “një moment shumë, shumë të turpshëm në politikën britanike”, shkruan ”The Guardian”.
Rama, i cili ndodhet në Britaninë e Madhe për bisedime me kryeministrin Rishi Sunak, nënvizoi se ishte thelbësore që marrëdhëniet mes dy vendeve të mos përcaktoheshin nga disa të ashtuquajtur ”mollë të kalbura”.
”Fatkeqësisht, ne e kemi parë veten dhe komunitetin tonë të shënjestruar në këtë vend për qëllime politike. Ishte një moment shumë, shumë i turpshëm për politikën britanike”, theksoi ai për programin ”Today” të BBC Radio 4.
Rama tha megjithatë se ”beson se Sunak e ka vendosur marrëdhënien në një rrugë të re drejt bashkëpunimit për çështje që prekin dy palët”.
“Nga ana tjetër jam shumë i kënaqur me kryeministrin tuaj. Ne kemi hartuar një rrugë të qartë për të adresuar së bashku gjithçka që duhet të lihet jashtë marrëdhënieve tona dhe botës sonë të ligjit dhe drejtësisë, por në të njëjtën kohë duke u siguruar që disa mollë të kalbura të mos përcaktojnë komunitetin shqiptar këtu dhe marrëdhëniet tona”, theksoi kryeministri Rama.
Rama kritikoi sërish komentet e ministres së Brendshme Braverman vitin e kaluar për “kriminelët shqiptarë” që kalonin La Manshin me varka të vogla.
Përpara bisedimeve në Londër me Sunak, Rama tha se ”dhënia e krimit një vulë etnike ishte në vetvete një krim”.
”Kjo ka qenë një pikë shumë e ulët në marrëdhënien tonë, por ka një vullnet për ta kapërcyer atë. Ne gjithmonë do ta refuzojmë këtë përzierje mes disa kriminelëve dhe shqiptarëve si të tillë, sepse dhënia e një vule etnike krimit, në vetvete është krim”, deklaroi kryeministri shqiptar Edi Rama.