Kryeministri i Palestinës, Mohammad Shtayyeh tha se dhënia fund e kontrollit të pushtimit izraelit dhe mbi burimet e Palestinës është kushti më i rëndësishëm për të siguruar zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik lokal, transmeton Anadolu.
Sipas një deklarate nga zyra e kryeministrisë, Shtayyeh mbajti një fjalim në Samitin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm i cili mbahet në Qendrën e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB) në New York.
“Është në përgjegjësinë e të gjithë komunitetit ndërkombëtar që të punojë për të siguruar që Izraeli t’i japë fund pushtimit të Palestinës në përputhje me rezolutat dhe referencat ndërkombëtare ndërsa themelimi i shtetit të pavarur të Palestinës është kushti më i rëndësishëm për garantimin e zhvillimit të qëndrueshëm”, deklaroi Shtayyeh.
Ai tha se bota është ende larg arritjes së objektivave të Axhendës së Zhvillimit të Qëndrueshëm. “Edhe kjo kërkon që ne të punojmë së bashku për të marrë masa praktike për të kapërcyer kriza të shumta me të cilat përballemi”, tha Shtayyeh.
Shtayyeh vuri theksin se pavarësisht pengesave që burojnë nga pushtimi izraelit, qeveria palestineze ka vënë në zbatim rregulloret e nevojshme institucionale për të arritur objektivat e saj të Axhendës së Zhvillimit të Qëndrueshëm.
Në kuadër të “Axhendës së Zhvillimit të Qëndrueshëm” të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në vitin 2015, përfshihen objektiva të tillë si eliminimi i urisë dhe varfërisë ekstreme në të gjithë botë deri në vitin 2030, reduktimi i pabarazisë mes njerëzve, rajoneve dhe vendeve, luftën në mënyrë efektive kundër ndryshimeve klimatike, mbrojtja e mjedisit, sigurimi i arsimit cilësor dhe sigurimin e energjisë me qasje për të gjithë.