Ish-presidenti Donald Trump ka pranuar problemet e tij ligjore duke i kthyer ato në mesazhin thelbësor të përpjekjes për t’u rikthyer në Shtëpinë e Bardhë, pasi ai po akuzon Bidenin për përdorimin e Departamentit të Drejtësisë për ta dëmtuar rivalin e tij kryesor politik. Ai u ka bërë thirrje rivalëve të tij republikanë që të largohen nga gara presidenciale e vitit 2024
Edhe pse po përballet me rrezikun ligjor, Donald Trump prapëseprapë ka vazhduar thirrjet për rivalët e tij republikanë që të largohen nga gara presidenciale e vitit 2024, ndërsa ka kërcënuar se do t’iu vihet pas anëtarëve republikanë të Kongresit, të cilët nuk fokusohen në hetimin e presidentit demokrat Joe Biden.
Trumpi kërkoi gjithashtu pezullimin e ndihmës ushtarake ndaj Ukrainës deri në momentin kur Shtëpia e Bardhë të fillojë bashkëpunimin me hetimet e Kongresit për Bidenin dhe familjen e tij.
“Çdo dollar i shpenzuar për të më sulmuar nga republikanët është një dollar i dhënë direkt për fushatën e Bidenit”, tha Trumpi në një tubim në Erie, Pensilvani, të shtunën mbrëma.
Ish-presidenti dhe kandidat kryesor i GOP-it ka thënë se është koha që guvernatori i Floridas, Ron DeSantis, dhe të tjerët që ai i cilësoi si “klounë”, që të pastrojnë terrenin, duke i akuzuar ata për “shpërdorim të qindra miliona dollarëve që republikanët duhet t’i përdorin për të ndërtuar një operacion të mbledhjes së votave” në përballje me Bidenin, në nëntor.
Komentet erdhën dy ditë pasi prokurorët federalë publikuan akuza të reja penale kundër Trumpit, si pjesë e akuzave të mëparshme mbi mbledhjen e paligjshme të dokumenteve të klasifikuara, në Mar-a-Lago dhe refuzimin për t’ua dorëzuar ato hetuesve. Aktakuza zëvendësuese e zbardhur të enjten pretendon se Trumpi dhe dy punonjës kërkuan të fshinin mbikëqyrjen me kamera në Mar-a-Lago, në një përpjekje për të penguar hetimin e Departamentit të Drejtësisë.
Trumpi mbetet dominues
Rasti është vetëm një nga sfidat ligjore në rritje të Trumpit. Ekipi i tij aktualisht po përgatitet për padi të tjera të mundshme, të cilat mund të ndodhin në javën e ardhshme në lidhje me përpjekjet e tij për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020, të ngritura nga prokurorët si në Washington ashtu edhe në Georgia. Trumpi veçse është duke u përballur me akuza penale në New York, për pagesat në këmbim të heshtjes, të bëra për gratë që e akuzuan atë për favore seksuale gjatë fushatës së tij presidenciale të vitit 2016.
Megjithatë, Trumpi mbetet figura dominuese për nominimin republikan, ndërkohë që ka rritur epërsinë e tij derisa akuzat i janë shtuar dhe derisa rivalët e tij nuk i janë përgjigjur në kohë. Sfida e tyre u shfaq në një mbledhje të GOP-it, në Iowa, të premten mbrëma, ku ata kryesisht refuzuan të përballen drejtpërdrejt me Trumpin. I vetmi që e bëri këtë gjë – duke akuzuar Trumpin se “vrapoi për të qëndruar jashtë burgut” – u nënvlerësua nga të pranishmit teksa u largua nga skena.
Ndërkohë Trumpi ka pranuar problemet e tij ligjore, duke i kthyer ato në mesazhin thelbësor të përpjekjes së tij për t’u rikthyer në Shtëpinë e Bardhë, pasi ai po e akuzon Bidenin për përdorimin e Departamentit të Drejtësisë për të gjymtuar rivalin e tij kryesor politik. Shtëpia e Bardhë ka thënë vazhdimisht se presidenti nuk ka pasur asnjë lloj përfshirjeje në këto raste.
Në takime të ndryshme, Trumpi është përpjekur t’i cilësojë akuzat, të cilat në fakt janë kërcënime serioze me burgim, si një sulm jo vetëm ndaj tij, por edhe ndaj atyre që e mbështesin.
“Ata nuk po më akuzojnë mua, po ju akuzojnë juve. Thjesht, rastisi që unë të isha në rrugë”, tha ai në Erie, teksa shtoi “sa herë që demokratët e majtë radikalë, marksistët, komunistët dhe fashistët më padisin, e konsideroj në fakt një simbol të madh nderi… Sepse unë jam duke u akuzuar për juve”.
Por hetimet po thithin gjithashtu burime të mëdha financiare. “Washington Post” raportoi për herë të parë, të shtunën, se komiteti i veprimit politik i Trumpit, “Save America”, do të raportojë të hënën se ka shpenzuar më shumë se 40 milionë dollarë për tarifat ligjore gjatë gjysmës së parë të 2023-s për të mbrojtur Trumpin dhe të gjithë ndihmësit aktualë dhe të mëparshëm. Totali është më shumë se ai i fushatës së tremujorit të dytë të vitit.
“Për t’u bërë ballë këtyre veprimeve të urryera nga miqtë e Joe Bidenit, për të mbrojtur këta njerëz të pafajshëm nga shkatërrimi financiar dhe për të parandaluar shkatërrimin e plotë të jetës së tyre, komisioni i veprimit politik kontribuoi në tarifat e tyre ligjore, për të siguruar që ata të kenë përfaqësim kundër ngacmimeve të paligjshme”, tha zëdhënësi i Trumpit, Steven Cheung.
Donald Trump kërcënon rivalët e tij republikanë
Në tubim, në një ish-bastion demokrat që Trumpi e bëri për vete në vitin 2016, por që Bideni e fitoi ngushtë në vitin 2020, Trumpi kërcënoi gjithashtu republikanët në Kongres, të cilët refuzojnë të fajësojnë Bidenin. Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, ka thënë javën e kaluar se ligjvënësit republikanë mund të konsiderojnë një hetim për shkarkimin e presidentit mbi pretendimet e paprovuara për keqpërdorime financiare.
Trumpi, i cili u akuzua dy herë gjatë kohës që ishte në detyrë, tha të shtunën se “ankesa më e madhe që kam është se republikanët e zbulojnë këtë informacion dhe më pas nuk bëjnë asgjë për të”.
“Çdo republikan që nuk vepron kur demokratët mashtrojnë, duhet të largohet menjëherë – jashtë!”, i tha ai turmës, teksa u përcoll me duartrokitje të forta. “Ata duhet të luajnë fort dhe… nëse nuk janë të gatshëm ta bëjnë këtë, ne kemi shumë republikanë të tjerë, të mirë dhe të fortë… dhe ata do të marrin miratimin tim çdo herë”.
Trumpi, gjatë zgjedhjeve afatmesme të vitit 2022, e bëri misionin e tij realitet, për ndëshkimin e atyre që kishin votuar në favor të shkarkimit të tij të dytë. Ai ia doli të rrëzonte shumicën e atyre që kishin mbështetur rivalët kryesorë.
Në tubim Trumpi u bëri thirrje gjithashtu anëtarëve republikanë të Kongresit që të ndalojnë autorizimin e mbështetjes shtesë ushtarake për Ukrainën, derisa administrata Biden të bashkëpunojë me hetimet republikane për marrëdhëniet e biznesit të Bidenit dhe familjes së tij – fjalë që i bënë jehonë thirrjes që çuan në shkarkimin e tij të parë.
“Ai po zvarritet në një konflikt global në emër të të njëjtit vend, Ukrainës, që me sa duket i pagoi familjes së tij të gjithë këta miliona dollarë”, pretendoi Trumpi. “Në emër të këtij informacioni”, tha ai, Kongresi “duhet të refuzojë edhe autorizimin e një pagese të vetme shtesë të stoqeve tona të varfëruara … të rezervave të armëve në Ukrainë derisa FBI-ja, DOJ-i dhe IRS-i të dorëzojnë çdo copë provash që kanë për marrëdhëniet e korruptuara të biznesit të familjes së krimit Biden”.
Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve kanë hetuar financat e familjes Biden, veçanërisht pagesat që Hunter, djali i presidentit, mori nga Burisma, një kompani energjie ukrainase.
Një informator i paidentifikuar konfidencial i FBI-së pohoi se zyrtarët e kompanisë “Burisma” në vitin 2015 dhe 2016 kërkuan t’i paguanin familjes Biden nga 5 milionë dollarë secilit, në këmbim të ndihmës së tyre për të rrëzuar një prokuror ukrainas, i cili supozohet se po hetonte kompaninë. Por gjatë një rishikimi të lëndës nga Departamenti i Drejtësisë në vitin 2020, derisa Trumpi ishte president, akuza u hodh poshtë në mungesë të provave.
Ndër akuzat e para ndaj Trumpit nga Dhoma e Përfaqësuesve rezultoi në presionin që Trump i kishte bërë presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, për të njollosur familjen Biden, derisa edhe e kërcënoi se do të ndalonte ndihmën ushtarake. Trumpi më vonë u shpall i pafajshëm nga Senati.
Përktheu: Forca Jashari /koha