Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se ai nuk e di “saktësisht” çfarë të thotë pasi presidenti rus, Vladimir Putin, shprehu mbështetje për zv/presidenten Kamala Harris në zgjedhjet presidenciale të nëntorit në SHBA, transmeton Anadolu.
“Putin doli sot. Ai mbështeti Kamala-n dhe unë nuk e dija se çfarë supozohej të bëj… ta telefonoja dhe t’i thosha ‘faleminderit shumë’. Unë e vlerësoj, por ai e mbështeti Kamala-n”, tha Trump në Klubin Ekonomik të New York-ut.
“Kam një ndjenjë… nuk e di saktësisht se çfarë të them për këtë. Nuk e di nëse jam fyer apo ai më ka bërë një nder”, shtoi ai.
Komentet e kandidatit republikan për president erdhën pasi Putin tha se Rusia mbështet zv/presidenten Harris, e cila zëvendëson presidentin Joe Biden që u tërhoq nga gara presidenciale si kandidat demokrat.
“Unë thashë se i preferuari ynë, nëse mund të them kështu, ishte presidenti në detyrë zoti Biden. Ai u hoq nga gara, por ai rekomandoi që gjithë mbështetësit e tij të mbështesin zonjën Harris. Pra, ne do të bëjmë të njëjtën gjë, ne do ta mbështesin atë”, tha Putin në një forum ekonomik në Rusi.
Biden ishte përcaktuar të përfaqësojë Partinë Demokratike në zgjedhje, por ai njoftoi tërheqjen e tij nga gara më 21 korrik dhe njoftoi mbështetjen e tij ndaj zv/presidentes Harris.
Ish-presidenti Donald Trump, i cili ka pasur marrëdhënie më miqësore me Putin-in se sa Biden-i, mori titullin presidencial të Partisë Republikane.