Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, është njoftuar që një hetim i gjerë i Departamentit të Drejtësisë mbi përpjekjet për të përmbysur zgjedhjet e 2020-s është duke u zhvilluar, pas më shumë se një viti intervistash me ndihmës të lartë të ish-presidentit dhe zyrtarëve shtetërorë nga i gjithë vendi.
Prokurorët federalë kanë zgjeruar rrjetin e informacioneve, duke marrë në pyetje dëshmitarët, mbi detajet e një takimi kaotik në Shtëpinë e Bardhë ku u diskutua mbi kapjen e makinerive të votimit dhe për përfshirjen e avokatëve në planet për të bllokuar transferimin e pushtetit, sipas burimeve. Ata kanë diskutuar me dëshmitarët për skemat e bashkëpunëtorëve të Trumpit, për të regjistruar në listën e votimit, votues të rremë republikanë, në shtetet e fushëbetejës së fituar nga demokrati Joe Biden, dhe kanë intervistuar zyrtarë të zgjedhjeve shtetërore që u përballën me një fushatë presioni mbi rezultatet e zgjedhjeve në ditët para trazirave të 6 janarit në Kapitol.
Është e paqartë se sa do të zgjasë hetimi i prokurorit special, Jack Smith, por një lloj pranie e tij ishte e dukshme, të martën, kur Trumpi zbuloi se kishte pranuar një letër nga Departamenti i Drejtësisë që e njoftonte atë se ai ishte objektiv i hetimit. Letra të tilla shpesh u paraprijnë akuzave penale; Trumpi pranoi një të tillë përpara padisë së tij muajin e kaluar me akuzën se kishte përdorur në mënyrë të paligjshme dokumente të klasifikuara të shtetit.
Megjithëse nuk dihet se me cilat akuza mund të përballet Trumpi ose dikush tjetër në hetimin mbi zgjedhjet, qëllimi i hetimit qëndron në kontrast të plotë me hetimin mbi dokumentet e klasifikuara. Gama e madhe e dëshmitarëve është një rikujtim i dy muajve të trazuar midis humbjes së Trumpit në zgjedhje dhe kryengritjes në Kapitol, kur disa avokatë dhe këshilltarë ndihmuan përpjekjet e tij të kota që ai të mbetej president.
Intervistat e kryera
Një zëdhënës i Smithit nuk pranoi të komentonte në lidhje me letrën e dërguar ose intervistat që prokurorët kanë kryer.
Edhe përpara se Smithi të trashëgonte hetimin e ndërhyrjes në zgjedhje në nëntorin e kaluar, hetuesit e Departamentit të Drejtësisë kishin intervistuar tashmë zyrtarë të shumtë të administratës Trump, duke përfshirë shefin e stafit të ish-zëvendëspresidentit, Mike Pence, dhe ish-avokatët kryesorë në Shtëpinë e Bardhë, kishin shqyrtuar mbledhjen e fondeve paszgjedhore si dhe kishin konfiskuar si prova të mundshme celularët e shumë avokatëve e zyrtarëve.
Që atëherë ekipi i Smithit ka marrë në pyetje zyrtarë të lartë të administratës, përfshirë vetë Pence, përpara jurisë së madhe në Washington dhe ka kryer intervista vullnetare me një grup të gjerë dëshmitarësh brenda dhe jashtë qeverisë federale. Këto intervista përfshijnë zyrtarë të shumtë zgjedhorë, në shtetet ku bashkëpunëtorët e Trumpit bënë përpjekje të pafrytshme, për të përmbysur rezultatet në favor të presidentit aktual republikan.
Sekretari i Shtetit të Georgias, Brad Raffensperger, ndaj të cilit u ushtrua presion personalisht nga Trumpi, për të “gjetur 11.780 vota” për të kapërcyer Bidenin, është intervistuar nga ekipi i Smithit, ashtu si edhe sekretarja e Shtetit në Michigan, Jocelyn Benson dhe sekretarja e Shtetit e New Mexicos, Maggie Toulouse Oliver, sipas përfaqësuesve të tyre.
Administratori kryesor i zgjedhjeve në Wisconsin dhe udhëheqësit e zgjedhjeve në Milwaukee dhe Madison kanë folur me hetuesit federalë. Edhe ish-guvernatori republikan i Arizonas, Doug Ducey, i cili heshti gjatë një telefonate nga Shtëpia e Bardhë e Trumpit, derisa ish-presidenti po shpallte publikisht fitoren e ngushtë të Bidenit në këtë shtet është kontaktuar nga ekipi i Smithit, tha një zëdhënës, të martën.
Listat e votuesve të rremë
Një fushë e vazhdueshme e interesit për hetuesit ka qenë roli i luajtur nga avokatët e Trumpit për ta ndihmuar atë të marrë pushtetin.
Avokatja Sidney Powell promovoi pretendime të pabaza për mashtrim të votuesve dhe nxiti idenë – e kundërshtuar fuqishëm nga avokatët e Trumpit në Shtëpinë e Bardhë – se sipas një urdhri ekzekutiv të mëparshëm Trumpi kishte autoritetin për të kapur makineritë e votimit shtetëror.
Charles Burnham, një avokat për Eastman, tha të martën se klienti i tij nuk kishte pranuar asnjë letër. “Ne nuk presim një të tillë pasi ngritja e shqetësimeve për paligjshmërinë në zhvillimin e zgjedhjeve nuk është dhe nuk ka qenë kurrë e sanksionueshme”, tha ai.
Shumë dëshmitarë janë pyetur për një takim të 18 dhjetorit 2020 në Shtëpinë e Bardhë, në të cilin këshilltarët e jashtëm, përfshirë Powell, ngritën si çështje idenë e makinave të votimit. Takimi, i cili u shndërrua në kaos, është përfshirë edhe në një hetim të veçantë nga Komiteti i Dhomës së Përfaqësuesve të 6 janarit, me ish-zyrtarin e Shtëpisë së Bardhë, Cassidy Hutchinson, që e përshkruan atë si “të pavarur”.
Rudy Giuliani, një avokat i Trumpit i cili mori pjesë në takim dhe i cili drejtoi sfidat ligjore për rezultatet e zgjedhjeve, u pyet për atë takim gjatë një interviste vullnetare me ekipin e Smithit dhe gjithashtu u dha detaje prokurorëve për përfshirjen e Powell në përpjekjet e dështuara për të përmbysur zgjedhjet.
Intervista e Giulianit ishte pjesë e asaj që njihet si një marrëveshje lehtësimi, tha një burim, në të cilën një person pranon të flasë vullnetarisht me hetuesit ndërsa prokurorët pranojnë të mos i përdorin ato deklarata në asnjë çështje penale të më vonshme. Prokurorët kanë provuar të arrijnë marrëveshje të ngjashme edhe me dëshmitarë të tjerë.
Derisa prokurorët po hetojnë përpjekjet e aleatëve të Trumpit, për të penguar fitoren e Bidenit, ata janë përqendruar edhe në krijimin e listave të votuesve të rremë nga shtetet kyç të fituara nga Bideni, të cilët u rekrutuan nga Trumpi dhe aleatët e tij për të nënshkruar certifikata false që deklaronin se në të vërtetë kishte fituar Trumpi.
Ekipi i Smithit është përqendruar gjithashtu në përpjekjet e Trumpit për të ndëshkuar zyrtarët nga administrata e tij, të cilët refuzuan të bashkohen me pretendimet e tij të rreme për mashtrimet zgjedhore. Chris Krebs, i cili u shkarkua nga Trumpi, nga pozita si drejtor i Agjencisë së Sigurisë Kibernetike të Departamentit të Sigurisë Kombëtare pasi garantoi integritetin e votimit të vitit 2020, u intervistua nga prokurorët disa muaj më parë në lidhje me hakmarrjen e perceptuar për qëndrimin e tij.
Përktheu: Forca Jashari /koha