Turqia dënoi vendimin e parlamentit të Izraelit, Knesset, për të klasifikuar si një organizatë terroriste agjencinë e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA), duke e konsideruar këtë vendim si “të papranueshëm”, raporton Anadolu.
“Është e papranueshme që Izraeli, i cili ka shënjestruar civilët e strehuar në shkollat e UNRWA-së në Gaza dhe ka vrarë afro 200 punonjës të OKB-së në nëntë muajt e fundit, po përpiqet të etiketojë UNRWA-në si një organizatë terroriste”, tha Ministria e Jashtme turke në një deklaratë me shkrim, duke shtuar:
“Përpjekjet e Parlamentit izraelit për ta cilësuar UNRWA-në si organizatë terroriste janë një fazë e re në sulmet e Izraelit për të shkatërruar popullin palestinez dhe identitetin palestinez”. MPJ-ja turke përkujton se UNRWA është themeluar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në vitin 1949 dhe ofron shërbime jetike për miliona refugjatë palestinezë, simbolizon të drejtën e palestinezëve për t’u kthyer në tokën e tyre.
“Duke diskredituar UNRWA-në, Izraeli kërkon të privojë refugjatët palestinezë, nga të drejtat e tyre më elementare”, thuhet në deklaratë, ku theksohet se Turqia do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm UNRWA-në.
Gjithashtu, MPJ-ja turke i kërkon komunitetit ndërkombëtar “të ngrejë zërin kundër sulmeve ndaj UNRWA-së dhe të mbështesë agjencinë”. Knesset dje miratoi tre projektligje për mbylljen e UNRWA-së dhe për ta konsideruar atë si një organizatë “terroriste”. Projektligjet duhet të hynë në votim të rregullt për të hyrë në fuqi.
Majin e kaluar, Knesset miratoi një mocion paraprak për të miratuar një projekt-ligj që përcaktonte UNRWA-së si një “organizatë terroriste”. Izraeli ka lobuar shumë që UNRWA të mbyllet, pasi është e vetmja agjenci e OKB-së që ka një mandat specifik për t’u kujdesur për nevojat themelore të refugjatëve palestinezë.
UNRWA u themelua me një rezolutë të OKB-së në vitin 1949 dhe është e mandatuar për të ofruar ndihmë dhe mbrojtje për refugjatët në pesë fushat e saj të veprimit: Jordani, Siri, Liban, Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës.
The post Turqia dënon Iz’raelin për klasifikimin e UNRWA-së si “organizatë ter’roriste” first appeared on Radio Televizioni Iliria.