RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Uji nga Liqeni i Badovcit mbetet i papijshëm, vazhdon prania e vlerave të larta të manganit

uji-nga-liqeni-i-badovcit-mbetet-i-papijshem,-vazhdon-prania-e-vlerave-te-larta-te-manganit

Vlerat e larta të manganit vazhdojnë të jenë ende të pranishme në ujin që vjen nga Liqeni i Badovcit.

Kështu ka bërë të ditur Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), në një njoftim të lëshuar të hënën.

Pavarësisht kryerjes së analizave gjatë vikendit ku është vërejtur ulje e vlerave të manganit, të njëjtat vazhdojnë të jenë më të larta se vlerat e lejuara dhe uji vazhdon të mbetet i papijshëm.

“Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka vazhduar monitorimin e ujit për pije të Ujësjellësit Rajonal KRU “Prishtina” që vjen nga Liqeni i Badovcit, pas rishfaqjes së vlerave të larta të Manganit, javën që shkoi. Gjatë analizave të kryera gjatë ditëve të vikendit, vërehen ulje e vlerave të Manganit.

Megjithatë, këto vlera ende janë më të larta se sa vlerat e lejuara sipas Udhëzimit Administrativ Ne: 10/2021 “Për cilësinë e ujit të destinuar për konsum nga njeriu”. Sipas këtij udhëzimi, standardi i paraparë për vlerat e lejuara të Manganit në ujin e pijes është 0.05 mg/L.

Ndërsa, sipas analizave të kryera ditëve të vikendit, vlerat më të larta të regjistruara sillen prej 0.102 – 0.0230 mg/L”, thuhet në njoftim.

Ekipet e IKSHPK-së vazhdojnë të monitorojnë ujin e pijes nga Liqeni i Badovcit edhe gjatë ditëve në vijim.

Ndërkohë, mbetet në fuqi rekomandimi që uji që vjen nga ky liqen të mos konsumohet për pije dhe të përdoret si ujë teknik për higjienë personale dhe ambientale.

“Ju rikujtomë se Mangani konsiderohet një lëndë ushqyese thelbësore dhe kontribuon në shumë funksione trupore, duke përfshirë metabolizmin e aminoacideve, kolesterolit, glukozës dhe karbohidrateve, në formimin e kockave, mpiksjen e gjakut dhe reduktimin e inflamacionit, por në vlera të shtuara në ujin e pijshëm, sillet si ndotës dhe ka ndikim të dëmshëm në shëndet, e posaçërisht tek fëmijët deri në 5 vjeçe nëse përdoret për një kohë më të gjatë”, thuhet mes tjerash në njoftim.

Duke pasur parasysh që vlerat e Manganit ende janë të larta, mbesin në fuqi rekomandimet e dhëna për KRU “Prishtina” që:

-Të kontrollohet procesi i dezinfektimit në mënyrë që vlera e klorit (Cl) rezidual të jetë 0.1-0.2mg/L;

-Të përcillet ndotja organike (TOC) në ujin e liqenit dhe në rrjetin shpërndarës;

-Të zbatohen procedurat standarde për trajtimin e ujit në situata si kjo;

-Të bëhet shpëlarja e rrjetit shpërndarës magjistral dhe segmenteve të vogla;

-Të sigurohet ujë higjienik për pije për qytetarët.

“IKSHPK njofton se është në bashkëpunim të vazhdueshëm me KRU “Prishtina” për të monitoruar dhe ndërmarrë veprimit e nevojshme për tejkalimin e situatës së krijuar si pasojë e “fenomenit” të Manganit në ujin e pijes”, thuhet në njoftim. /

Related posts

Tetovë, tubim në solidaritet me fëmijët e Rripit të Ga’zës – VIDEO

rezart morina

Presidenca: BIA serbe ndaloi dy pjesëtarë të Policisë së Kosovës në kufi

admin

Emigrantët rrisin numrin e popullsisë në Gjermani

admin