Ukraina pretendoi sot se forcat e saj kanë bërë përparime në vijën e frontit me Rusinë në rajonet Donetsk dhe Zaporizhzhia, në mes të “veprimeve kundërsulmuese” të njoftuara nga presidenti Volodymyr Zelenskyy gjatë fundjavës, transmeton Anadolu.
“Gjatë operacionit ofensiv, gjatë ditës së kaluar, trupat tona përparuan 250 metra në drejtim të Bakhmutit në zonën e rezervuarit të Berkhivit dhe 200 metra në drejtimin Toretsk”, tha zëvendësministrja ukrainase e Mbrojtjes Hanna Maliar në një deklaratë në Telegram.
Maliar më tej pretendoi se trupat ukrainase kanë përparuar nga 500 metra deri në 1 kilometër në drejtim të qytetit Berdiansk në rajonin Zaporizhzhia, duke pretenduar se zona e marrë nën kontroll është deri në 3 kilometra katrorë.
Armiku po bën gjithçka për të mbajtur pozicionet e kapur prej tij, duke përdorur aviacionin dhe zjarrin intensiv të artilerisë, tha Maliar.
Ajo shtoi se forcat ukrainase kanë hasur në fusha të minuara dhe llogore antitank, si dhe “kundërsulme të vazhdueshme nga njësitë e armikut mbi automjetet e blinduara dhe përdorimin masiv të raketave të drejtuara antitank dhe dronëve kamikaze” gjatë kundërofensivës.
Ajo tha gjithashtu se luftimet po vazhdojnë në drejtim të rajoneve Orikhiv, Marinka, Bakhmut dhe Lyman.
Autoritetet ruse nuk kanë komentuar ende mbi këto pretendime.
Zelenskyy njoftoi të shtunën se ushtria ukrainase po ndërmerr “veprime të përshtatshme kundërsulmuese dhe mbrojtëse” kundër Rusisë në vijën e frontit.