RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Ukraina thotë se Rusia humbi mbi 1.000 ushtarë për 24 orë në luftën për Bahmutin

ukraina-thote-se-rusia-humbi-mbi-1.000-ushtare-per-24-ore-ne-luften-per-bahmutin

Ushtria ukrainase pohoi më 12 mars se pala ruse humbi më shumë se 1.000 trupa në 24 orët e fundit, teksa përpjekjet e Moskës për qytetin lindor të Bahmutit vazhduan. Kievi tha se është i vendosur që ta mbrojë këtë qytet.

Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës tha më 12 mars se rusët kishin humbur 1.090 ushtarë dhe tetë tanke në 24 orët e fundit.

Radio Evropa e Lirë nuk ka mundur t’i konfirmojë këto zhvillime në fushëbetejë. Por, një raport i inteligjencës britanike dhe analistë të tjerë perëndimorë thanë se pala ruse ka humbur shumë trupa, teksa synon rrethimin dhe pushtimin e Bahmutit.

Komandanti i forcave tokësore të Ukrainës, Oleksandr Syrskiy, tha se mbrojtja kokëfortë e Bahmutit “është e nevojshme për të blerë kohë, për të ndërtuar rezerva, dhe për të nisur një kundërofensivë, e cila nuk është larg”.

Mediazona, një media e pavarur anti-Putin, tha se 1.638 ushtarë të rregullt rusë dhe mercenarë kanë vdekur në dy javët e fundit të luftimeve në Ukrainë, një nga periudhat më vdekjeprurëse të konfirmuara për forcat e Putinit.

Dje, Ukraina tha gjithashtu se ushtria ruse nisi “më shumë se 100 sulme” përgjatë vijës së frontit.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, paralajmëroi më 8 mars se qyteti i shkatërruar ukrainas, Bahmut, mund të bjerë në duart e rusëve në ditët në vijim, pasi ky qytet lindor për muaj të tërë po përballet me luftime intensive.

Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, ka thënë më 7 mars se kapja e Bahmutit do të ishte hap kyç për nisjen e një ofensive më të gjerë në rajonin e Donjeckut.

Luftimet përreth Bahmutit kanë qenë luftimet më të gjata dhe më të ashprat që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt 2022.

Ekspertët perëndimorë kanë thënë se Bahmuti ka më pak rëndësi strategjike për Rusinë sesa rëndësi simbolike.

Related posts

“Dialogu me Kosovën është në gjendje kome”, ministri i Jashtëm i Serbisë: Fajin nuk e ka Lajçak, por…

admin

Vrasje e trefishtë në Fushë-Krujë

admin

Numri i të vdekurve nga sulmi në Rafah është rritur në 35

rezart morina