Qeveria e SHBA-së dëshiron që Qeveria e Etiopisë të largohet nga përpilimi i listave të përfituesve dhe transporti, magazinimi dhe shpërndarja e ndihmës. Zyrtari i lartë i USAID –it ka thënë se Qeveria e Etiopisë është zotuar të bashkëpunojë për reformat, por “ne nuk kemi parë ende reforma specifike në vend që do të na lejojnë të rifillojmë ndihmën”. Civilët, përsëri, po vuajnë.
Një prift i krishterë ortodoks, Tesfa Kiros Meresfa, lutet derë më derë për ushqim, së bashku me të tjerë të panumërt që po e marrin veten nga lufta dyvjeçare në Etiopinë veriore që e la të uritur popullin e tij. Për zhgënjimin e tij, drithërat dhe vaji i nevojshëm urgjentisht janë zhdukur përsëri për miliona që janë mes përplasjes së qeverisë së Etiopisë, Shteteve të Bashkuara dhe Kombeve të Bashkuara mbi atë që zyrtarët amerikanë thonë se mund të jetë vjedhja më e madhe e ndihmave ushqimore në histori. “Nuk kam fjalë për t’i përshkruar vuajtjet tona”, ka thënë Tesfa.
Teksa SHBA-ja dhe OKB-ja kërkojnë që Qeveria e Etiopisë të japë kontrollin e saj mbi sistemin e gjerë të shpërndarjes së ndihmave që mbështet një të gjashtën e popullsisë së vendit, ata kanë ndërmarrë hapin dramatik për ta pezulluar ndihmën e tyre ushqimore për vendin e dytë më të populluar të Afrikës derisa të jenë të sigurt se nuk do të vidhet nga zyrtarët dhe luftëtarët etiopianë.
Image
Pezullimi i ndihmës
Kanë kaluar pothuajse tre muaj nga pezullimi i ndihmës në disa pjesë të vendit dhe raportet po dalin për vdekjet e para nga uria gjatë pezullimit. Më së shpejti, ndihma për rajonin verior të Tigray do të kthehet në korrik, thonë SHBA-ja dhe OKB-ja, dhe në pjesën tjetër të vendit në një moment pas kësaj, kur të lejojnë reformat në shpërndarjen e ndihmës.
Tesfa, i cili jeton në një kompleks shkolle me qindra të tjerë të zhvendosur nga lufta në Tigray, qeshi kur u pyet se sa vakte ha në ditë. “Pyetja më bën për të qeshur”, tha ai. “Ne shpesh shkojmë të flemë pa ushqim”.
Në intervistat me Associated Press, e cila raportoi për herë të parë vjedhjen masive të ndihmave ushqimore, zyrtarë të agjencive të ndihmës të SHBA-së dhe OKB-së, organizatave humanitare dhe diplomatëve ofruan gjetje të reja mbi devijimin e ndihmave në mbarë vendin për njësitë ushtarake dhe tregjet. Kjo përfshinte pretendimet se disa zyrtarë të lartë etiopianë ishin përfshirë gjerësisht.
Zbulimi në muajin mars i ndihmës ushqimore të vjedhur për të ushqyer 134 mijë njerëz për një muaj në një qytet të vetëm Tigray është vetëm një paraqitje e shkurtër e shkallës së vjedhjes që SHBA-ja, donatori më i madh humanitar i Etiopisë, po përpiqet ta kuptojë. Ushqimi i destinuar për familjet në nevojë u gjet duke u shitur në tregje ose i grumbulluar në mullinj komercialë mielli, ende i shënuar me flamurin e SHBA-së.
Implikimet për SHBA-në janë globale. Ta dëshmosh atë mund të zbulojë dhe të ndalojë vjedhjen e ndihmës së paguar nga taksapaguesit amerikanë, e kjo është jetike në një kohë kur administrata Biden po lufton për ta mbajtur mbështetjen publike për ndihmën për Ukrainën e rrënuar nga korrupsioni.
Faji i kujt?
Në një takim privat javën e kaluar në Etiopi, zyrtarët e ndihmës amerikane u thanë partnerëve ndërkombëtarë se ky mund të ishte devijimi më i madh ndonjëherë i ndihmës ushqimore në çdo vend. Në një intervistë me AP-në, një zyrtar i lartë i Agjencisë së SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar ka njoftuar se sasia e saktë e ndihmave ushqimore të vjedhura mund të mos dihet kurrë.
Pajisjet mjekësore të dhuruara gjithashtu u vodhën, sipas një diplomati perëndimor dhe zyrtari të OKB-së, i cili, si të tjerët, foli në kushte anonimiteti, sepse nuk ishin të autorizuar të flisnin publikisht.
Me USAID-in që i ka dhënë Qeverisë së Etiopisë 1.8 miliardë dollarë ndihmë humanitare që nga viti 2022, një vonesë në ofrimin e ndihmës ushqimore shkakton dhimbje të gjerë. Miliona njerëz mbetën të uritur gjatë luftës, ndërsa rezervat e ushqimit u plaçkitën, u dogjën dhe mbaheshin nga luftëtarët, dhe hetuesit e OKB-së kanë paralajmëruar për krime të mundshme lufte të lidhura me urinë.
Tani uria po gjurmohet te korrupsioni.
Gjetjet paraprake të lëshuara këtë muaj nga autoritetet rajonale të Tigrayt thanë se ata kanë gjurmuar vjedhjen e më shumë se 7 mijë tonë metrikëve grurë të dhuruar – ose 15 milionë funte – në rajonin e tyre, të marra nga autoritetet federale dhe rajonale dhe të tjerë. Gjetjet nuk e specifikuan periudhën kohore. Rajonet e tjera ende nuk i kanë raportuar shumat.
Qeveria e Etiopisë hedh poshtë si “propagandë” të dëmshme sugjerimin se ajo mban përgjegjësinë kryesore për zhdukjen e ndihmave në Tigray dhe rajone të tjera, por ajo ka rënë dakord për një hetim të përbashkët me SHBA-në ndërkohë që Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së kryen një hetim të veçantë .
Mënyra se si zyrtarët e ndihmës perëndimore “distancohen nga akuzat duke e lidhur problemin e supozuar vetëm me institucionet dhe procedurat qeveritare është absolutisht e papranueshme dhe shumë në kundërshtim me realitetin në terren”, u tha gazetarëve në fillim të këtij muaji zëdhënësi i qeverisë, Legesse Tulu. Ai ka thënë se zëdhënësit e tjerë të qeverisë nuk iu përgjigjën menjëherë mesazheve nga AP-ja.
Punonjësit e ndihmës thonë se agjencitë humanitare kanë toleruar prej kohësh një shkallë korrupsioni nga zyrtarët qeveritarë. Ofrimi i ndihmës në Etiopi ka qenë shumë i politizuar për dekada, duke përfshirë gjatë urisë shkatërruese të viteve 1980, kur regjimi i atëhershëm komunist bllokoi ndihmën për zonat e kontrolluara nga grupet rebele.
Zyrtari i lartë i USAID-it i ka thënë AP-së se vjedhja e fundit e ndihmave ushqimore të SHBA-së dhe OKB-së përfshinte manipulimin e listave të përfituesve që Qeveria etiopiane ka këmbëngulur për t’i kontrolluar, plaçkitjen nga forcat e Qeverisë etiopiane dhe Tigray nga Eritrea fqinje.
Një ish-zyrtar i Tigrayt ka theksuar se punonjësit e qeverisë shpesh e rrisin numrin e përfituesve dhe marrin grurin shtesë për vete, një praktikë që dy zyrtarë të organizatave ndërkombëtare që punojnë në Etiopi e quajtën të përhapur kudo në vend.
Zyrtarë të shumtë akuzuan WFP-në se thjesht kishte hequr racionet në mes të qyteteve, ku pjesa më e madhe e ndihmës u grabit nga forcat nga Eritrea.
Kishte gjithashtu shenja se njerëzit të cilët zyrtari i USAID-it i përshkroi vetëm si “aktorë të tregut” po i detyronin familjet e uritura të dorëzonin ndihmat ushqimore që merrnin – diçka që WFP-ja gjithashtu dyshon.
Masat e ndërmarra
Në Etiopi, e cila ka një histori të urisë vdekjeprurëse, “zero” nga 6 milionë njerëz në Tigray morën ndihma ushqimore në maj pas pauzës së donacioneve nga SHBA-ja dhe OKB-ja, sipas një memoje të OKB-së të parë nga AP. Kjo është e paprecedent, thuhet.
Me 20 milionë njerëz në mbarë Etiopinë të varur nga një ndihmë e tillë, plus më shumë se 800 mijë refugjatë nga Somalia dhe ngado tjetër, grupet e pavarura humanitare paralajmërojnë se edhe një zgjidhje e shpejtë e mosmarrëveshjes mund të bëjë që shumë njerëz të vdesin nga uria.
Në komentet e para të gjera publike të agjencisë së ushqimit të OKB-së, drejtori rajonal i WFP për Afrikën Lindore, Michael Dunford, pranoi “mangësitë” e mundshme në monitorimin e shpërndarjes së ndihmës.
“E pranojmë se mund të kishim bërë më mirë”, i tha ai AP-së këtë javë. Por deri më tani, ka theksuar Dunford, “ka qenë qeveria etiopiane ajo që po menaxhonte” procesin.
Nga ana e USAID-it, zyrtari i lartë i agjencisë përmendi një sërë arsyesh që zyrtarët e SHBA-së e humbën masën e vjedhjes së ndihmës për kaq shumë kohë. Lufta bllokoi hyrjen tokësore të agjencisë në rajonin Tigray për 20 muaj. Diku tjetër në vend, kufizimet e COVID-it dhe shqetësimet e sigurisë kufizuan mbikëqyrjen e USAID-it, ka treguar zyrtari.
Disa ligjvënës republikanë dhe demokratë thanë se pezullimi i rrallë i ndihmës në mbarë vendin tregoi se USAID po e merr vjedhjen e ndihmës së SHBA-së me seriozitetin e duhur. I pyetur nëse ai ishte i shqetësuar për mbikëqyrjen e USAID-it, demokrat i lartë, senatori Chris Coons nga Delaware, tha: “Jam i shqetësuar për mënyrat në të cilat ushtria dhe Qeveria etiopiane mund të kenë devijuar sistematikisht ushqimin që ishte menduar për etiopianët e uritur”.
Zyrtarët amerikanë dhe të OKB-së thanë se po punonin për të kufizuar – ose për t’i dhënë fund – rolin e zyrtarëve të Qeverisë etiopiane në sistemin e ndihmës.
“Ne po marrim përsëri të gjithë kontrollin mbi mallrat”, ka thënë Dunford. “I gjithë zinxhiri i furnizimit, që nga momenti që ne marrim ushqimin në vend deri në kohën kur është në duart e përfituesve”. Planet përfshijnë shpërndarjen nga palët e treta, monitorimin në kohë reale nga palët e treta dhe regjistrimin biometrik të përfituesve, tha ai.
Qeveria e SHBA-së dëshiron që Qeveria e Etiopisë të largohet nga përpilimi i listave të përfituesve dhe transporti, magazinimi dhe shpërndarja e ndihmës, sipas një memoje të shkurtër nga donatorët e parë nga AP-ja.
Zyrtari i lartë i USAID –it ka thënë se Qeveria e Etiopisë është zotuar të bashkëpunojë për reformat, por “ne nuk kemi parë ende reforma specifike në vend që do të na lejojnë të rifillojmë ndihmën”.
Civilët, përsëri, po vuajnë.
Sezoni i korrjes së Etiopisë ka përfunduar. Agjencia humanitare e OKB-së ka shprehur privatisht frikën e “urisë masive” në pjesët e largëta të Tigrayt, sipas një vlerësimi të bërë në prill dhe të parë nga AP-ja.
Spitali kryesor i Tigrayt raportoi një rritje prej 28% të numrit të fëmijëve të pranuar për kequshqyerje nga marsi në prill. Në spitalin e qytetit Axum, rritja ishte 96%.
“Është një ditë e mirë nëse arrijmë të hamë një vakt”, ka thënë Berhane Haile, një tjetër nga mijëra njerëz të zhvendosur nga lufta që janë të uritur.
Përktheu: Blerta Haxhiu /koha