Në tryezën shqiptare ushqimet nga brumi zënë një hapësirë të konsiderushme. Recetat e ndryshme vijnë në shprehje sidomos gjatë muajit të Ramazanit.
Darkat e Ramazanit (iftaret) në sofrën shqiptare janë përplot me ushqime tradicionale. Jo se këto receta nuk përgatiten jashtë muajit të Ramazanit, por se gjatë kësaj periudhe vijnë më shumë në shprehje.
Abstenimi nga ngrënia dhe pirja për më shumë se dhjetë orë në këtë periudhë i bën edhe më të kërkuar këto ushqime nga agjeruesit.
Në vazhdim TRT Balkan ju sjell llojin e ushqimeve të cilat më shpesh mund të hasen në sofrën e Ramazanit ndër shqiptarët.
Petullat në Shqipëri
Diku me kos e hudhur, e në disa vende me mjaltë, sheqer pluhur, kanellë ose reçel a djathë, petullat në Shqipëri, në ramazan thuajse janë prezente për çdo iftar.
Të lehta për të konsumuar, ashtu siç edhe rekomandohet të fillohet me darkat në ramazan petullat prej kohës servohen në tryezën shqiptare.
Arsyeja sepse ky ushqim është tejet i preferuar në mesin e qytetarëve të Shqipërisë është fakti se për gatimin e tyre nuk nevojitet shumë mund e nuk harxhohet shumë kohë.
Për gatimin e këtij specialiteti duhet një gotë uji me miell, ujë të vakët, vaj, pak kripë dhe sipas dëshirës mund të hidhet sheqer.
Pitalka me suxhuk në Kosovë
Gjithandej furrave të Ballkanit mund të gjinden pitalka, por jo si ato në Prizren, Gjakovë e Pejë. Interesi për pitalkat e mbushur me suxhuk në parim rritet sidomos gjatë muajit të Ramazanit.
Radhët për të siguaruar pitalka për iftar janë të gjatë gjithandej Kosovës, e posaçërisht në qytet e apostrofuara.
Ndryshe, në mesin e qytetarëve të Kosovës pitalkat njihen edhe si samuna. Krahas suxhukut për pitalkat e mbushur nevojitet vezë dhe djathë i butë.
Paça e Maqedonisë
Në shikim të parë duket si çorbë ose të lë përshtypjen se është ndonjë supë. Mirëpo, paça është e kundërta e këtyre dy ushqimeve. Varësisht prej vendeve dallon edhe përgatitja. Në vende të ndryshme të Shqipërisë dhe Kosovës paça përgatitet me mish.
Konsumi më i shpeshtë i paçës llogaritet të jetë në Maqedoni të Veriut gjatë muajit të Ramazanit. Ky specialitet tradicional i moçëm përgatitet nga mielli, vezët, kosi dhe hudhrat./trt