Ushtria izraelite njoftoi se gjatë natës goditi rreth 200 lokacione në Rripin e Gazës të bllokuar, transmeton Anadolu.
Pavarësisht thirrjeve për armëpushim nga bota, Izraeli vazhdon sulmet e tij në Rripin e Gazës.
Ushtria izraelite, e cila nisi një sulm tokësor mbi Khan Younis në jug si dhe në veri të Rripit të Gazës, shtoi edhe sulmet e saj ajrore kundër rajonit.
Në deklaratën e bërë nga ushtria izraelite, thuhet se gjatë natës janë goditur rreth 200 lokacione në Gaza.
Pretendohet se lokacionet e goditura ishin “shënjestra” që i përkisnin Brigadave Izz al-Din al-Qassam, krahut ushtarak të Hamasit.
Sipas deklaratës së djeshme të Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, 15.523 palestinezë, përfshirë më shumë se 6.150 fëmijë dhe më shumë se 4 mijë gra, janë vrarë dhe 41.316 palestinezë janë plagosur në sulmet e kryera nga Izraeli që nga 7 tetori.