Në vazhdën e rritjes së tensioneve rajonale pas sulmeve izraelite në Liban, ushtria e Izraelit paralajmëroi sot se çdo gjuajtje raketore nga Irani drejt Izraelit “do të ketë pasoja”, transmeton Anadolu.
“Lansimi i raketave nga Irani drejt Izraelit do të ketë pasoja”, tha zëdhënësi i ushtrisë Avichay Adraee në X.
Paralajmërimi vjen pas raportimeve nga SHBA-ja për një sulm të mundshëm iranian kundër Izraelit sonte.
Ushtria izraelite tha se është informuar nga qeveria amerikane për përgatitjet për një sulm iranian.
Sot herët, ushtria tha se filloi operacionet tokësore “të kufizuara dhe të synuara” në Libanin jugor.
Që nga 23 shtatori, Izraeli ka kryer sulme masive ajrore kundër atyre që i quan objektiva të Hezbollahut në gjithë Libanin, duke vrarë më shumë se 1.057 njerëz dhe duke plagosur mbi 2.950 të tjerë, sipas Ministrisë libaneze të Shëndetësisë.
Disa liderë të Hezbollahut janë vrarë nga sulmet, duke përfshirë liderin e saj Hassan Nasrallah.
Hezbollahu dhe Izraeli janë përfshirë në luftë ndërkufitare që nga fillimi i luftës së Izraelit në Gaza, e cila ka vrarë mbi 41.600 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, pas një sulmi ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor të vitit të kaluar.
Komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar se sulmet izraelite në Liban mund ta përshkallëzojnë konfliktin e Gazës në një luftë më të gjerë rajonale.