RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Vdekjet misterioze të palestinezëve në burgjet izraelite

vdekjet-misterioze-te-palestinezeve-ne-burgjet-izraelite

Disa ditë pasi Hamasi sulmoi Izraelin dhe nisi lufta në Gazë, Umm Mohamedi në Bregun e pushtuar Perëndimor mori një telefonatë nga djali i saj prej një burgu izraelit.

“Lutu për mua nënë!”, i tha Abdulrahman Mari. “Gjërat janë duke u bërë më të vështira këtu. Ata mund të mos më lejojnë të flas me ty përsëri”.

Kjo ishte hera e fundit që ajo ia dëgjoi zërin.

Kushtet janë përkeqësuar për të burgosurit palestinezë në Izrael pas 7 tetorit të vitit të kaluar, kur Hamasi nisi sulmin e tij vdekjeprurës në komunitetet izraelite afër Rripit të Gazës, sipas Komisionit të Autoritetit Palestinez (PA) për Çështjet e të Burgosurve të Autoritetit Palestinez (PA).

Trembëdhjetë të burgosur palestinezë kanë vdekur në burgjet izraelite që nga atëherë, “shumica prej tyre si rezultat i të rrahurave ose mohimit të ilaçeve”, ka thënë Qadoura Fares, kreu i komisionit.
Abdulrahmani ishte ndër të parët që vdiq.

Zdrukthëtar në fshatin Qarawat Bani Hassan, ai ishte rrugës për në shtëpi nga vendi i tij i punës në Ramallah në shkurt të vitit të kaluar kur ishte arrestuar në një postbllok. Ai ishte dërguar në paraburgim administrativ – sipas të cilit Izraeli mund të mbajë njerëz pa asnjë akuzë për një kohë të pacaktuar – në burgun “Megiddo”.

Vëllai i tij, Ibrahimi, ka thënë se akuzat kundër tij ishin të vogla, të tilla si pjesëmarrja në protesta dhe posedimi i një arme, por ka thënë se ai gjithashtu ishte akuzuar se ishte pjesë e Hamasit edhe pse nuk ka pasur akuza specifike për ndonjë aktivitet në grup.

Ibrahimi është duke u munduar akoma të zbulojë arsyen e vdekjes së vëllait të tij. Ai duhet të mbështetet në dëshmitë e ish- të burgosurve të tjerë, e gjithashtu nga raportet e seancave gjyqësore.

Një nga ish-të burgosurit, që kishte qenë në qeli me Abdulrahmanin, tha në kushte anonimiteti: “Pas 7 tetorit ishte torturë totale. Ata na kanë rrahur neve pa ndonjë arsye, na kanë kontrolluar pa asnjë arsye. Edhe nëse e ke shikuar dikë siç nuk duhet të ka rrahur”.

Ai e ka përshkruar se e ka parë Abdulrahmanin të rrahur rëndë.

“Në orën 9 të mëngjesit ata kanë ardhur në qelinë tonë dhe kanë filluar të na rrahin. Njëri nga rojat ka filluar t’i fyente prindërit e Abdulrahmanit, të cilën ai nuk ka mundur ta duronte, prandaj ka filluar të përleshej me të. Ata e kanë rrahur atë shumë keq dhe e kanë dërguar në një qeli tjetër, në katin sipër, për një javë të tërë. Gjatë asaj kohe mund ta dëgjoje atë duke bërtitur nga dhimbja”.

Ai ka thënë se e ka marrë vesh lajmin për vdekjen e Abdulrahmanit një javë pasi ishte larguar nga burgu.

Shërbimi u burgjeve i Izraelit nuk u është përgjigjur pyetjeve të BBC-së për vdekjen e Abdulrahmanit ose të 12 palestinezëve të tjerë, për të cilët Komisioni i Çështjeve të të Burgosurve ka thënë se kanë vdekur. Thjesht tha: “Ne nuk jemi të njohur me supozimet e shpjeguara dhe me sa dimë ne këto supozime nuk janë të vërteta”.

Danny Rosin, një mjek që është pjesë e organizatës joqeveritare “Mjekët për të Drejtat e Njeriut”, mori pjesë në ekzaminimin e trupit të Abdulrahman Marit. Ai vërtetoi ato që thanë shoku i qelisë dhe vëllai i Abdulrahmanit.

Raporti i Rosinit ka përmendur se janë parë mavijosje mbi gjoksin e Abdulrahmanit dhe se kishte disa brinjë të thyera. Mavijosje gjithashtu janë parë në shpinë, në krahun e majtë dhe kofshë, si dhe në anën e djathtë të kokës dhe qafës.

Po ashtu në raport u përfshi edhe raporti shtesë i policisë i cili kishte përmendur “ndalimin e dhunshëm” të përdorur ndaj Marit gjashtë ditë para vdekjes së tij.

Rosini ka thënë në raport se teksa nuk është gjetur shkaku specifik i vdekjes, “mund të supozohet se dhuna të cilën ai e ka pësuar, ku kishte pësuar disa mavijosje dhe disa fraktura të rënda të brinjëve, kanë kontribuar në vdekjen e tij”.

Ai gjithashtu ka shtuar se “pulsi jo i rregullt” ose “sulmi në zemër” ka mundur të rezultonte për shkak lëndimeve që i ka pësuar, pa lënë ndonjë provë fizike.

Për momentin Izraeli mban më shumë se 9,300 të burgosur, shumica prej të cilëve janë palestinezë sipas grupit izraelit të të drejtave “HaMoked”, duke përfshirë më shumë se 3,600 njerëz në paraburgim administrativ.

Këto shifra nuk përfshijnë të arrestuarit nga Rripi i Gazës që mbahen në objekte të ndara nga ushtria izraelite.

Qadoura ka thënë se ndryshimi pas 7 tetorit “ka prekur çdo aspekt të jetës së të burgosurve”, duke supozuar se të burgosurit janë duke u ballafaquar me uri dhe etje dhe disave prej tyre, që janë me sëmundje kronike, u janë mohuar ilaçet. Rrahjet janë bërë më të shpeshta dhe më brutale.
“Kam takuar një të arrestuar që i ka humbur 20 kilogramë vetëm gjatë tre muajve të fundit”, ka thënë ai. “Është sikurse lufta në Gazë ishte gjithashtu luftë me të burgosurit palestinezë. Ishte si formë e hakmarrjes”.

Të burgosurit palestinezë kanë përshkruar se janë rrahur me shkopinj, u janë lëshuar qen dhe u janë marrë rrobat, ushqimi dhe batanijet në javët pas sulmit të 7 tetorit.

Shërbimi i burgut izraelit i ka mohuar keqtrajtimet, duke thënë se “të gjithë të burgosurit janë duke u mbajtur në përputhje me ligjin, ndërsa u respektohen të drejtat elementare dhe janë nën vëzhgimin e stafit profesional dhe të aftë të burgut”.

Ai ka thënë se burgu kishte kaluar në “modalitet emergjent” pas shpërthimit të luftës. Shembujt që ka dhënë kanë përfshirë largimin e pajisjeve elektrike, ndalimin e rrymës elektrike nëpër qeli dhe reduktimin e aktiviteteve të të burgosurve.

Në fshatin Beit Sira të Bregut Perëndimor, babai i Arafat Hamdanit e ka treguar vendin ku policia izraelite e ka thyer derën e shtëpisë së familjes dhe është futur brenda në orën 4 të mëngjesit më 22 tetor duke e kërkuar djalin e tij.

Policia e ka mbuluar fytyrën e djalit të tij me një rrobë të trashë të zezë dhe e ka ngushtuar atë rreth qafës së tij me litar. Maskës i kishte ardhur një erë e rëndë, ka thënë ai dhe Arafati dukej se kishte problem të merrte frymë nën të.

“Jam përpjekur ta qetësoj”, ka thënë Yasser Hamdani. “Është në rregull. Ata nuk kanë asgjë kundër teje. Ata nuk kanë asgjë kundër nesh. Vazhdoja t’ia thosha këtë gjë teksa ata po e merrnin nga shtëpia. E morën me vete”.

Dy ditë më vonë ka ardhur një telefonatë. Arafati ishte gjetur i vdekur në qelinë e tij në burgun “Ofer” në Bregun Perëndimor.

Autoritetet izraelite nuk kanë dhënë shpjegim se si kishte vdekur ai. Arafati ka pasur diabet të tipit 1 dhe nganjëherë kishte probleme me nivelet e ulëta të sheqerit në gjak.

Babai i tij ka thënë që njëri nga oficerët e policisë që e ka arrestuar Arafatin i kishte thënë atij të merrte ilaçe me vete, por ishte e paqartë nëse ai kishte arritur t’i merrte.

Kirurgu Daniel Solomon, që ka qenë prezent në ekzaminimin e trupit të Arafat Hamdanit pas vdekjes së tij, sipas kërkesës së “Mjekëve për të Drejtat e Njeriut”, ka shkruar një raport.

Solomoni ka thënë se ekzaminimi ishte mbajtur në Izrael më 31 tetor, por ka shtuar se gjendja e trupit, për shkak të ftohjes së zgjatur e ka bërë të vështirë për ta caktuar shkakun e vdekjes.

Në raport ceket mungesa e të dhënave nëse Arafati ka marrë ilaçe për diabet dhe në çfarë doze.
Raporti gjithashtu e ka përmendur nevojën për testime të tjera pas autopsisë, për ta caktuar shkakun e vdekjes.

“Deri më tash nuk e dimë si ka vdekur. Asgjë nuk është e qartë”, ka thënë Yasser Hamdani.
Nuk janë kthyer akoma trupat e Arafatit ose Abdulrahmanit. Familjet e tyre duan të caktojnë autopsitë vetë, t’u mbajnë funerale dhe t’u japin lamtumirën e fundit.

“Ai ishte mishi dhe gjaku im. Pastaj pas një kohe të shkurtër nuk ishte më”, ka thënë Yasser Hamdani.
Fotot e djalit të tij ishin gjithkund nëpër apartament.

Umm Mohamed ka treguar foto të Abdulrahmanit nga telefoni i saj, duke treguar te njëra me gisht dhe duke thënë: “Shikoje atë. Ai ishte shumë gazmor”.

“Me kalimin e kohës ai ishte bërë lideri i grupit të tij të të burgosurve. Ai më thërriste në telefon kur bënte mëngjesin për ta, ndërsa ata ishin akoma në gjumë. Ai gjithnjë ishte më aktivi. Kurrë nuk rrinte në një vend”.

Ajo filloi të qante.

“Ma ktheni mbrapsht. Dua ta shoh për herë të fundit. Një shikim të fundit”. /koha

Related posts

Nuk kanë të ndalur vrasjet në Serbi, një djalë vrau babanë e tij

admin

Teori konspiracioni pas debatit presidencial në SHBA, çfarë po thuhet për vathët me perla të Kamala Harris

admin

Kovaçevski: Gjuha maqedonase është shtyllë e kombit maqedonas

rezart morina