Veriu i Mitrovicës sot është zgjuar me disa mesazhe ku bëhet thirrje për rezistencë pas 21 nëntorit, kur edhe nis shqiptimi i gjobave për shoferët që vozisin veturat me targa ilegale.
Grafite të shumta janë parë pranë sheshit kryesor në veri të Mitrovicës.
Siç shihet grafitet janë vendosur nga një grup i ashtuquajtur “Brigada Veriore”.
“Nga data 21.11 është detyrë e të gjithëve të rezistojnë në çdo hap! Brigada Veri”, shkruan në grafit.
Herën e fundit që ishte vendosur një grafit nga “Brigada Veriore” ishte në fund të gushtit.
“Mos u shqetëso, këtu jemi – Brigada Veriore” dhe “NATO shko në shtëpi! Kjo është Serbi. Brigada e Veriut po rritet dita-ditës”, kishte qenë ky grafiti i vendosur gjatë muajit gusht.
Katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan – janë pa kryetarë qysh më 5 nëntor.
Kryetarët, të nacionalitetit serb, dhanë dorëheqje në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të nisur procesin për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe.
Të mbështetur edhe nga Beogradi zyrtar, shumica e serbëve në veri i kundërshtojnë targat që i lëshon Republika e Kosovës, RKS, duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.
Dorëheqje, për të njëjtat pakënaqësi, dhanë edhe zyrtarë të tjerë serbë në veri – nisur nga policia deri te gjykatat – ashtu si edhe 10 deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe ministri për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës, Goran Rakiq. Këta të fundit vinin nga Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë.