Ajo që përbën fakt interesant, ndonëse me përqindje më të ulët të vetëvrasjeve, Shqipëria radhitet për vetëvrasje më të shumta të shkaktuara nga gjinia femërore në Ballkan.
Vetëvrasja është një dukuri sociopatologjike dhe devijante mjaft e përhapur në botën bashkëkohore dhe si e tillë paraqet një gjendje të sëmurë në shoqëri.
Ky akt i shkaktimit të qëllimshëm të vdekjes ndodh në gjithë botën, duke prekur individë të të gjitha kombeve, kulturave, feve, gjinive dhe klasave.
Por, sa është evidente kjo dukuri negative në vendet e Ballkanit, tregojnë statistikat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh) për vitin 2022.
Mali i Zi me përqindje më të lartë të vetëvrasjeve në Rajon
Në bazë të statistikave të OBSh-së, në çdo 100 mijë banorë në Mal të Zi kryejnë vetëvrasje 21 persona.
Numri më i lartë i vetëvrasjeve ¾ janë meshkuj.
Kroacia e dyta
Në Kroaci, në çdo 100 mijë banorë 16.4 vendosin t’i japin fund jetës së tyre.
Po ashtu edhe në Kroaci ¾ e vetëvrasjeve shkaktohet nga meshkujt.
Serbia dhe BeH thuajse me shifra të ngjashme
Nga 100 mijë banorë në Serbi 11.4 kryejnë aktin e vetëvrasjes, me ç’rast 72 për qind janë meshkuj dhe vetëm 28 për qind femra.
Thuajse me shifra të njëjta me Serbinë është edhe Bosnjë e Hercegovina, ku në 100 mijë banorë 9.4 janë autorë të vetëvrasjes, ndërsa prej tyre 80 për qind janë meshkuj dhe 20 të gjinisë femërore.
Maqedonia e parafundit në rajon
Në Maqedoni nga 100 mijë banorë mesatarisht 9.4 persona e braktisin këtë botë si pasojë e vullnetit të lirë, vetëvrasjes.
Sa i përket gjinisë, 74 për qind janë burra, ndërsa 26 për qind gra.
Shqipëria sa më e mira në rajon, aq më e keqja në raportin e grave
Me shifra dukshëm më të ulta të numrit të vetëvrasjeve nga vendet e rajonit është Shqipëria.
Këtu nga 100 mijë banorë mesatarisht i japin fund jetës së tyre 4.3 persona.
Statistikë e veçantë për këtë shtet paraqet edhe fakti se nga të gjitha vendet e rajonit Shqipëria ka përqindjen më të lartë të vetëvrasjeve të shkaktuara nga gjinia femërore në rajon, diku 32 për qind.
Faktorët kryesorë që shpiejnë në vetëvrasje dhe parandalimi i kësaj dukurie negative
Ndër shkaqet kryesore që njeriu të privohet nga jeta e tij janë çrregullimet e mendjes dhe anomalitë në lindje të cilat mund të rrisin prirjen e dikujt për të përjetuar depresion, qoftë si një episod i rastësishëm ose një sëmundje e përjetshme.
Për të ulur shkallën e vdekjeve që vijnë nga vetëvrasja, vendet duhet të trajtojnë shumë faktorë themelorë të zakonshëm që shtohen dhe e bëjnë dikë më të prirur të zgjedhë vetëvrasjen si rrugëdalje.
Shkalla e depresionit është një faktor që ka rëndësi serioze, por faktorë të tjerë që duhen marrë në konsideratë janë niveli akademik, performanca, gjendja fizike, shëndeti dhe mirëqenia mendore, gjendja ekonomike, vështirësitë financiare, performanca në vendin e punës dhe kënaqësia e përgjithshme me jetën.
Tranzicioni ndër shkaqet e vetëvrasjes
Sociologu nga Shkupi, Ali Pajaziti për TRT Balkan, thotë se vetëvrasjet paraqesin një dukuri patologjike që ka të bëjë me një gjendje turbulente paraprake të personit, me një dërrmim dhe konsumim të brendshëm individit që pasqyrohet në një vendim fatal.
“Këto shifra tregojnë që ndër shqiptarë ky fenomen është më pak i përhapur ngase kultura shqiptare nuk e ka njohur atë deri para tre dekadave. Procesi i kalimit në demokracinë liberale dhe në ekonominë e tregut e kanë bërë atë prezent edhe në popullatën më konservatore të Ballkanit, te shqiptarët, por më rrallë krahasuar me kombe të tjera siç janë kombet sllave”, thotë Pajaziti.
Tutje, ai shton se përderisa serbët, kroatët, boshnjakët dhe malazezët kanë jetuar në mirëqenie edhe më parë, një pjesë e tyre kanë përjetuar shpresëthyerje në kohën e tranzicionit dhe kjo i ka bërë ata defetistë.
“Nga ana tjetër shqiptarët kanë qenë inferiorë dhe sekondarë në Jugosllavi, ndërsa tmerrësisht keq kanë jetuar në Shqipëri gjatë komunizmit, e sot kanë avancim ekonomik dhe në cilësi të jetesës”, thekson Pajziti.
Tradita dhe mirëqenia e përmirësuar sipas tij, kanë ndikim në statistikat më të ulta të vetëvrasjeve ndër shqiptarë, por as ata nuk janë imunë, kështu që në Kosovën e pasluftës dhe në Shqipërinë e viteve të fundit ka raste të shumta të akteve suicidale. /trt