Të enjten për vizitë në Kosovë ishte ndihmës-sekretari i NATO-s për Operacione, Thomas Goffus, ku është takuar me presidenten e shtetit, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.
Temë diskutimi në takimet e Goffus me krerët e shtetit ishte edhe çështja e hapjes së Urës së Ibrit.
Goffus pas vizitës në Prishtinë theksoi se veprimet e pakoordinuara, posaçërisht në veri të Kosovës, mund të rrisin rrezikun e dhunës, e cila cenon sigurinë e të gjithë njerëzve në vend dhe rrezikon trupat e KFOR-it.
“Presidentja Osmani ka përsëritur qëndrimin për hapjen e urës, porse ka potencuar rëndësinë e mirëmbajtjes së komunikimit, koordinimit dhe thellimit të bashkëpunimit në mes të institucioneve tona dhe partnerëve tanë të sigurisë, veçanërisht me NATO-n, për hartimin e një plani të përbashkët të zbatimit për hapjen e urës”, thuhet në njoftim mes tjerash.
Hapjen e urës, Osmani e ka cilësuar si një veprim në funksion të normalizimit dhe integrimit në interes të të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie.
Të enjten në takim zyrtarin e NATO-s e ka pritur edhe kryeministri Albin Kurti. Fillimisht, kryeministri e falënderoi Goffus për kontributin e vazhdueshëm e pozitiv të misionit të KFOR-it dhe NATO-s si dhe angazhimin në ruajtjen e paqes e sigurisë në vend dhe rajon.
Ai theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit mes institucioneve tona të sigurisë e mbrojtjes me KFOR-in e NATO-n dhe koordinimin e vazhdueshëm.
Kryeministri Kurti tha se progresi socio-ekonomik e demokratik i vendit ecën krah për krah me sundimin e rendit dhe ligjit, ndaj të cilave përkushtimi mbetet i palëkundur e në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim.
The post Viziton Kosovën zyrtari i lartë i Nato-s first appeared on Radio Televizioni Iliria.