Udhëheqësit kinez Xi Jinping iu dha një mandat i tretë pesëvjeçar si president i Kinës të premten.
Miratimi i emërimit të Xi në ceremoninë e Kongresit Kombëtar Popullor (NPC) ishte diçka e pritur dhe e paramenduar, pasi lideri ka lënë mënjanë rivalët e mundshëm politikë dhe ka mbushur radhët e larta të Partisë Komuniste që udhëheq vendin me mbështetësit e tij, që nga marrja e pushtetit në vitin 2012.
Vota për Xi në Kongresin Kombëtar Popullor ishte unanime, me 2,952 pro dhe asnjë kundër. Anëtarët e këtij Kongresi emërohen nga partia në pushtet.
Xi, 69 vjeçar, e kishte emëruar veten për një mandat të tretë pesëvjeçar si sekretar i përgjithshëm i partisë në tetor, duke thyer një traditë sipas së cilës udhëheqësit kinezë e dorëzojnë pushtetin një herë në dekadë.
Një kufi i vendosur për dy mandate për presidencën e Kinës u fshi nga Kushtetuta kineze më herët, duke nxitur sugjerime se ai mund të qëndrojë në pushtet për gjithë jetën.
Flamuj të Kinës dhe SHBA-së. Fotografi ilustruese.
Xi gjithashtu u emërua unanimisht komandant i Ushtrisë Çlirimtare Popullore prej 2 milionë anëtarësh, një forcë që në mënyrë eksplicite merr urdhrat e saj nga partia, dhe jo nga vendi.
Në votimet e tjera, zyrtari i rangut të tretë të partisë Zhao Leji u emërua kreu i Kongresit Popullor Kombëtar. Shumica dërrmuese e punës legjislative të organit drejtohet nga Komiteti i Përhershëm i tij, i cili mblidhet gjatë gjithë vitit.
Ish-shefi i partisë së Shangait dhe anëtari i Komitetit të Përhershëm të Byrosë Politike, Han Zheng u emërua në postin kryesisht ceremonial të nënpresidentit të shtetit.
Xi, Zhao dhe Han më pas bënë betimin, duke mbajtur një dorë në një kopje të Kushtetutës kineze. Në seancë u betuan edhe 14 nënkryetarë të kongresit.
Mandati i ri i Xi dhe emërimi i njerëzve të afërt me të në postet kryesore nënvizon monopolin e tij mbi pushtetin politik kinez, duke eliminuar çdo kundërshtar të mundshëm ndaj agjendës së tij tepër nacionaliste për ndërtimin e Kinës si rivali më i lartë politik, ushtarak dhe ekonomik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe sfiduesit më të madh të rendit botëror demokratik të udhëhequr nga Uashingtoni.
Gjatë një takimi të grupit të vogël të delegatëve me Xi të hënën, ai tha se “vendet perëndimore të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara kanë zbatuar kontrollin, rrethimin dhe shtypjen e gjithanshme të Kinës, e cila ka sjellë sfida të rënda të pashembullta për zhvillimin e kombit tonë”.
Xi bëri thirrje për “ngritje më të shpejtë të forcave të armatosura në standardet e rangut botëror”.
“Kina duhet të maksimizojë aftësitë e saj strategjike kombëtare në një përpjekje për të përmirësuar sistematikisht forcën e përgjithshme të vendit për t’u përballur me rreziqet strategjike, për të mbrojtur interesat strategjike dhe për të realizuar objektivat strategjike”, citohet të ketë thënë Xi në takimin me delegatët. /rel